Kundërshtitë e ndërkombëtarëve dhe faktorit vendas nuk do ta ndalojnë qeverinë të zbatojë amnistinë fiskale dhe penale.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, i cili sulmoi ashpër veçanërisht dhomat e tregtisë që kanë kritikuar nismën.

Pak ditë më parë ishte Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Dhoma Gjermane po ashtu që ngritën shqetësimet e tyre se amnistia mund të sjellë rrezik të pastrimit të parave.

“Të gjithë miqve tanë unë duhet tu them. Respekti reciprok është A e punës time në funksion të qeverisjes . me respekt mund të refuzohet çdo ide, port a trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht, ndërkohë që amnistia bëhet me rregull, kjo nuk është asgjë e drejtë, as gjëja e duhur, as gjëja që çmon respektin gati gati pa kushte që ka Shqipëria ndaj partnerëve të saj. Të çohen dhoma tregtia me flamuj të vendeve partnere dhe të bëjnë fletë rrufe për këtë iniciativë të qeverisë kjo është vetëm mungesë respekti”, tha Rama.

Komisioni Europian ka dhënë tashmë opinionin e tij për ligjin e ri të amnistisë duke mos rënë dakord as me ndryshimet e reja. Sipas institucionit europian, amnistia dobëson kontrollet kundër pastrimit të parave dhe mund ta kthejë vendin në parajsë fiskale.

Financat dhe strukturat e drejtësisë do të bashkëpunojnë ngushtësisht në zbatimin e kësaj amnistie. Përfaqësuesit e qeverisë deklaruan se vendi i ka të gjitha kapacitetet për të bërë një amnisti të plotë nga e cila përfitojnë jo vetëm qytetarët e bizneset, por edhe buxheti i shtetit.

Amnistia parashikohet të zbatohet për një periudhë 9-mujore dhe tavani i vendosur për deklarimin vullnetar është 2 milionë euro. Kjo amnisti fiskale dhe penale synon ligjërimin e pasurive të padeklaruara, qofshin këto para apo prona, rishikimin e pasqyrave financiare të bizneseve.

Draftligji parashikon që pasuritë e deklaruara të mos transferohen jashtë vendit për një periudhë 5-vjeçare, në të kundërt kush nuk respekton afatin e përcaktuar duhet të paguajë penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

Procesi i konsultimit pritet të zgjasë në kohë dhe ligji sipas qeverisë mund të kalojë në parlament në sesionin e ardhshëm parlamentar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA