Ukrainë, dhjetra të vrarë e qindra të plagosur nga raketat ruse

14/07/2022 21:50

Të paktën 22 persona humbën jetën dhe qindra u plagosën nga sulmet ruse me raketa që goditën pjesën qendrore të Ukrainës të enjten, njoftojnë autoritetet në Kiev. Presidenti ukrainas e akuzoi Rusinë për sulm të qëllimshëm kundër popullsisë civile pa asnjë avantazh ushtarak.

Zyrtarët ukrainas thanë se raketat e tipit Kalibr me preçizion të lartë u lëshuan nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi dhe goditën një pallat në Vinnytsia, rreth 268 kilometra nga kryeqyteti Kiev.

Guvernatori i rajonit Vinnytsia, Serhiy Borzov tha se mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi dy nga katër raketat e lëshuara.

Shefi i Policisë Kombëtare, Ihor Klymenko, tha se vetëm gjashtë nga të vrarët janë identifikuar deri më tani, ndërsa 39 të tjerë ende fugurojnë të zhdukur.

Nga 52 të plagosurit e shtruar në spital, pesë janë në gjendje kritike, ndërsa 34 kanë lëndime të rënda, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press shefi i departamentit rajonal të kujdesit shëndetësor Olha Zadarozhnia. Ndër të plagosurit kishte edhe tre fëmijë.

Rusia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht sulmin. Por Margarita Simonyan, e cila drejton rrjetit televiziv rus RT të kontrolluar nga qeveria, shkroi në kanalin e saj të një aplikacioni mesazhes se zyrtarët ushtarakë i kishin thënë asaj se një ndërtesë në Vinnytsia ishte në shënjestër sepse aty strehoheshin “nazistë” ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e akuzoi Rusinë se qëllimisht kishte vënë në shënjestër popullsinë civile. Sulmi ndodhi ndërsa zyrtarë nga rreth 40 shtete u takuan në Hagë të Holandës për të diskutuar koordinimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale lidhur me krime të mundshme lufte të kryera në Ukrainë.

“Çdo ditë Rusia po shkatërron popullsinë civile, po vret fëmijë ukrainas, po lëshon raketa drejt objekteve civile. Aty ku nuk ka objektivë ushtarakë. Çfarë mund të jetë tjetër veçse një akt i hapur terrorizmi?”, shkruante në rrjetin Telegram Presidenti Zelenskyy.
Vinnytsia është një nga qytetet më të mëdha të Ukrainës, me një popullsi prej 370,000 banorësh para luftës. Mijëra njerëz janë larguar nga Ukraina lindore, ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Pas goditjes së ndërtesave me raketa, zjarri përfshiu rreth 50 makina të parkuara, thanë zyrtarët. Analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov tha se ai mendonte se sulmi është shëmbëlltyrë e goditjeve të mëparshme të Kremlinit të zonave të banuara me synimin “për të tentuar të ushtrojë presion mbi Kievin që të bëjë lëshime”.

“Rusia ka përdorur të njëjtat taktika kur goditi rajonin e Odesës, Kremenchuk-un, Chasiv Yar dhe zona të tjera”, tha zoti Zhdanov. “Kremlini do të tregojë se do të vazhdojë të përdorë metoda jokonvencionale të luftës dhe të vrasë civilë duke sfiduar Kievin dhe të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.

Forcat ruse vazhduan sulmet me artileri dhe raketa në Ukrainën lindore, kryesisht në provincën e Donetskut, pasi morën kontrollin e Luhanskut fqinj. Qyteti i Lysychanskut, bastioni i fundit i madh i rezistencës ukrainase në Luhansk, ra në duart e forcave ruse në fillim të muajit./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA