Çmimet e transportit publik në shërbimin shtetëror në të gjithë Spanjën tashmë janë përgjysmuar në përgjigje të rritjes së shpejtë të normave të energjisë dhe inflacionit.
Tani qeveria ka shpallur zbritje të tjera 100%. Që nga shtatori, pasagjerët do të mund të udhëtojnë nëpër trena të ndryshëm të operuar nga rrjeti publik i trenave falas.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez njoftoi se biletat e shumë-udhëtimeve për trenat e operuar nga shërbimet publike të disa rrjeteve me një distancë jo shumë të largët do të jenë pa pagesë nga 1 shtatori deri në fund të këtij viti.
Këtu përjashtohen biletat e një udhëtimi në distanca shumë të gjata, ndërsa biletat me shumë udhëtime përfshijnë të paktën 10 rrugë vajtje-ardhje.
CNN shkruan se Ministria Spanjolle e Transportit deklaroi se kjo masë inkurajon maksimalisht përdorimin e këtij lloji të transportit publik kolektiv për të garantuar udhëtimin e nevojshëm ditor me një mjet transporti të sigurt, të besueshëm, komod, ekonomik dhe të qëndrueshëm, në kushtet e jashtëzakonshme të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe karburanteve.
Spanja nuk është i vetmi vend evropian që ka marrë masa për të ulur kostot e transportit publik.
Muajin e kaluar, Gjermania lançoi një biletë mujore të pakufizuar të transportit publik prej nëntë eurosh që mund të përdoret në transportin lokal dhe rajonal në të gjithë vendin.
Marrëveshja pjesë e një pakete të ndihmës energjetike të qeverisë është planifikuar të zgjasë deri në fund të gushtit.
Në fund të vitit 2021, Austria prezantoi një “biletë klimatike” me zbritje të madhe të vlefshme në të gjitha mënyrat e transportit publik në vend, me qëllimin inkurajimin e njerëzve që të lënë makinat e tyre në shtëpi.
Top Channel