Gjashtë vite nga miratimi me konsesus i reformës në drejtësi, politika nuk është e kënaqur për produktin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Skanerin më kritik, reformës ia bëri arkitekti i saj, Fatmir Xhafaj.
“Ne nuk mund të pranojmë të kemi drejtësi të re me dy standard hetimi e gjykimi. S’mund të jetë ndryshe teksa sheh një ish-gjyqtar të GJK-së, çështja e të cilit shkon për gjykim në Gjykatën e Posaçme për një shtëpi 60 m2, ndërsa për disa të tjerë të flakur nga sistemi për shkak të pasurive marramendëse, deri miliona euro me letra, çështjet transferohen me shpresën se mund të gjendet ndonjë prokuror që të shërbejë si lavatriçe e pastrimit të dosjeve të tilla”, tha Xhafaj.
Opozita ngriti gishtin e akuzës ndaj kryeministrit Edi Rama duke e bere përgjegjës për kapjen e sistemit, ndërsa pjese te fajit beri edhe drejtuesit e organeve te reja te drejtësi qe kishin zënë vend ne llozhën e Parlamentit.
“Nëse je pjesë oborrit të Edi Ramës, nëse ndan para me të apo ministrat e tij, nëse ke mbrojtjen e tij drejtësia e re që është më e vjetëruar se e vjetra ul kokën, mbyll sytë dhe nuk shikon”, tha Bardhi.
I pakënaqur me performancën e organeve të reja të drejtësisë, është socialisti Padeli Majko.
“Marrëdhënia e Prokurorit të Përgjithshëm me strukturën e re të drejtësisë është një krizë e pashpallur. Ndërsa në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), marrëdhënia midis Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit ka cilësi të “Luftës së Ftohtë”. Mungesa e koordinimit në organet e akuzës është shqetësuese dhe me “fajtorë pa faj”. Prangat duhet të tringëllojnë në dyert e politikës dhe në lidhjet e saj me krimin e organizuar”, tha Majko.
Por kujt duhet t’i vendosë prangat drejtësia? Ministri i Brendshëm nuk hezitoi ti kërkojë SPAK që të mos hetojë vetëm të majtët por të hedhë rrjetën e saj edhe në radhët e opozitarëve.
“Nuk mund të mbesë ndëshkimi nga drejtësia vetëm në njërën anë të politikës, vetëm në atë të maxhorancës”, tha Çuçi.
“Pyesni pak përfaqësuesit e SPAK, t’ju thonë pse nuk hetojnë sarajet e Edi Ramës. Pyesni pak se nuk hetojnë pallatin e familjes Basha. Pyesni pak pse nuk hetojnë Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Agaçin për aferën e djegsave”, tha Berisha.
“Djalli foli për djegësirat por s’foli për inceneratorin e Gërdecit ku ditën për diell firmosin letrat ku ministrat raportonin tek i biri i djallit. Dështim që SPAK e le djallin ta marrë përgojë”, tha Balla.
“Sulmi që i bëre organeve të drejtësisë tregon se drejtësia po funksion se ky ishte mësuar t’i mbante drejtuesit e prokurorive në paradhomë. Sot e pashë që ka hall”, tha Manja.
Drejtuesit e organeve të reja në drejtësi raportuan në Kuvend për punën e bërë përgjatë vitit 2021, por u përballën me kritikat e deputetëve të të dyja krahëve.
Top Channel