Rikthimi i Romelu Lukakut është padyshim një nga lajmet më të mira për Interin dhe tifozët e tij, megjithatë skenën në këto ditë të para të fazës përgatitore e ka marrë mesfushori 20-vjeçar shqiptar, Kristjan Asllani.
I ardhur nga Empoli, pas një gjysmë-sezoni mjaft të mirë, mesfushori kuqezi është basti i zikaltërve, që kanë pritshmëri të mëdha mbi të dhe deri tani Asllani i ka përmbushur më së miri.
Në një intervistë të gjatë për DAZN, mesfushori 20-vjeçar ka rrëfyer emocionet e transferimit te Interi, marrëdhëniet me shokët e skuadrës dhe gjithçka që lidhet me këto ditë të para të aventurës zikaltër.
Si kanë qenë ditët e para zikaltër?
Kanë qenë ditë shumë të bukura dhe po shkon çdo gjë mirë. Djemtë më kanë pritur shumë mirë dhe jam mjaft i kënaqur.
Cilët janë tre faktorët që të kanë bërë më shumë përshtypje te Interi?
Qendra sportive. Nuk kisha parë kurrë një qendër kaq të madhe dhe të organizuar në perfeksion. Më pas lojtarët, që më parë i shihja në televizion dhe tani luaj bashkë me ta. Nuk harroj edhe cilësinë. Futbollistët këtu kanë shumë cilësi.
Kush po ju ndihmon më së shumti në këto ditë të para?
Në këto ditë të para nuk kemi qenë të gjithë, por ka qenë padyshim Danilo D’Ambrossio ai që kë ma qëndruar pranë më shumë se të tjerët. Në përgjithësi të gjithë po më ndihmojnë të integrohem. Darmian, kapiteni Handanovic. Qëndrimi me këmbë në tokë, është këshilla më e shpeshtë që më japin.
Nëse ju kërkojnë të këndoni në ritin e mirëseardhjes, do ta bësh?
Eh… duhet ta bëj.
Keni kryer vizitat mjekësore me Lukakun, që e takonit për herë të parë. Çfarë thatë me njëri-tjetrin?
Ishte hera e parë që takoheshim dhe kemi folur përreth 30 minuta në qendrën mjekësore. Edhe ai po më jep një dorë për t’u integruar shpejt.
Ai ka thënë se dukeni si një 27-vjeçar kur flisni. A është e vërtetë?
Në fakt këtë ma thonë të gjithë. Nuk mund të mos ndihem i kënaqur kur dëgjoj vlerësimet e një futbollisti të madh. Nga ana tjetër jam maksimalisht i përqendruar te Interi dhe kam pranuar menjëherë, sapo dëgjova për ofertën.
Cila është cilësia më e mirë e Brozovic?
Me topin në këmbë është shumë i fortë. E kam ndjekur shpesh në harkun e sezonit të kaluar, duke e admiruar. Pranë tij mund të përmirësohem shumë, mund të vjedh shumë gjëra.
Inzaghi të ka folur për rolin që do të mbulosh në fushë?
Jo akoma, por mund të bëj disa role në mesfushë. Sezonin e kaluar te Empoli kam bërë shumë role, por më së shpeshti kam luajtur para mbrojtjes. Jam mirë fizikisht dhe kam luajtur shumë ndeshje, ndaj për këtë duhet të falënderoj edhe trajnerin Andreazzoli e presidentin Corsi.
Çfarë bën kur nuk stërvitesh?
Asgjë, i dedikohem familjes. Nuk kam hobi të caktuara. Thjesht dëgjoj muzikë. Nuk luaj as Play Station dhe as Fantacalcio.
Me çfarë arritjeje do të ishit i kënaqur në fund të sezonit?
Dua të fitoj patjetër diçka, megjithatë të jem i sinqertë, dëshiroj të fitoj titullin kampion. Kam zgjedhur numrin 14 që mbante Perisic, i cili më ka shkruar për të më uruar fat dhe u gëzova shumë. Në fakt e zgjodha këtë numër, pasi është dita e lindjes së vëllait tim.
Si i keni raportet me kritikat?
I përjetoj qetësisht, pa presion. Unë jam kritik i madh i vetes dhe shoh gjithmonë ndeshjet, për të parë ku kam gabuar dhe çfarë duhet të përmirësoj.
Si ka qenë momenti i firmës me Interin?
Në fillim nuk më besohej, por më pas kur erdhi firma, ishte emocion i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time./Supersport
Top Channel