Bardhi: Drejtësia e re vijon të godasë në palcë qytetarin dhe u jep imunitet të paprekshmëve

14/07/2022 13:49

Deputeti demokrat Gazment Bardhi e ka quajtur drejtësi që u jep imunitet personave që nuk preken nga ligji, “Drejtësinë e re”.

Ai u shpreh se drejtësia e re vijon të godasë qytetarin e thjeshtë dhe t’i japë përparësi  të pasurve në vend.

Sipas deputetit,të gjithë institucionet e drejtësisë ulin kokën dhe janë në garë se kush t’i shërbejë më parë Edi Ramës.

“Drejtësia e ka marrë emrin e re por në sjellje vijon të jetë e vjetër, vijon të godasë në palcë qytetarin dhe u jep imunitet atyre që vijojnë të jenë të paprekshëm. Në 5 vjet sipas të dhënave të ministrisë 3304 qytetarë janë dënuar për veprën penale ndërtim i paligjshëm, ata kanë rregulluar çatinë apo dhomën e gjumit të fëmijëve të tyre. Ata nuk i kanë shërbyer syrit të institucioneve. Bashkia prokuroria  kanë shkuar dhe gjykata ka dënuar.  Të paprekshmit mund të ndërtojnë afër, në lagjen ku banon drejtuesi i SPAK apo Drejtori i Policisë. Drejtësia nuk është kurrë e re kur i tregon dhëmbët qytetarit. Prokurori i Përgjithshëm ul kokën para gradaçelave në mes të qytetit. Kjo është drejtësi më e vjetër. Nëse s’je pjesë e oborrit të kryeministri nuk mund të ndërtosh 5 kate në mes të Tiranës. Dhe të gjithë institucionet ulin kokën, të gjithë janë në garë kush t’i shërbejë më parë Edi Ramës, që të jenë të paprekshëm për ligjin. Edi Rama dhe ministrat e tij ndryshuan ligjin për interesat e oligarkut. Drejtuesi i SPAK-ut, Prokurori i Përgjithshëm ulin kokën të gjithë. Zoti prokuror  ngrini kokën dhe shikoni, bëjeni pa marrë leje nga Edi Rama, drejtësia që u tregon dhëmbët 3304 qytetarëve dhe ul kokën para oligarkëve të Edi Ramës nuk është drejtësi e re, por është më e vjetër se sa drejtësia e vjetër.  Drejtësia e re do të jetë kur Edi Rama të jetë i barabartë me 3304 qytetarët e këtij vendi.Drejtësia e re do të jetë thjesht  drejtësia e paprekshmëve të rinj. Drejtësia e re e të paprekshmeve nuk rregullohet as me rezoluta dhe as me rekomandime, por duke larguar atë që jep lejet e të paprekshmeve” , tha Bardhi.

 

Top Channel