Kur dëgjoi për protestën e avokatëve që janë kundër reduktimit të gjykatave, Skënder Guri udhëtoi nga Puka për t’ju bashkuar tubimit së bashku me avokaten e tij e cila e përfaqëson në padinë familjare të hapur ndaj shtetit.
Por me hartën e re gjyqësore gjyqi pritet te transferohet nga Shkodra në gjykatën e apelit Tiranë , dhe drejtësia qe ai pret lidhet me largimin e bashkëshortes nga puna në spitalin e Pukës. Por pritja s’do ketë fund për Gurin .
Me kërkesën që KLGJ të tërhiqet nga shkrirja e 18 gjykatave, avokatët që kanë hyrë në javën e tretë të bojkotimit të seancave gjyqësore paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si antikushtetues të hartës që pritet të miratohet nga qeveria.
“Ne po ndjekim këtë pastaj rruga gjyqësore është teknike e zotërojmë në mënyrë perfekte”, tha Maks Haxhia.
“Ne jemi të bindur që kjo hartë cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor”, tha Anton Kosteri, avokat në Shkodër.
“Le të firmosin qe japin garanci për suksesin dhe nëse dështon të marrin për siper përgjegjësinë. Pra të japin dorëheqjen përgjithmonë nga drejtësia”, tha Durim Bajramaj , avokat në Vlorë.
“Mua po me vdesin klientët dhe s’po marrin drejtësi. Nga 2015 kam dosje ne gjykatën e Apelit administrativ”, tha Shaqe Marinaj, avokate në Lezhë.
“Normalisht këto janë kosto që bien mbi kurrizin e qytetarëve dhe ne do ngremë shërbimet dhe faturat”, tha Shkëlqim Sulo, avokat në Tiranë.
“Nëse nuk do ketë drejtësi patjetër do ketë të drejtë kanunore”, tha Agim Bibraj, avokat në Lezhë.
Protesta një orëshe u mbaj para polit të drejtësisë që dikur ishte shtëpia e avokatëve por që iu shit qeverisë për ta shndërruar në selinë e institucioneve të reja të drejtësisë, midis tyre edhe KLGJ që nuk po tërhiqet nga harta.
KLGJ ngulmon fort se harta e re është ndikuar edhe nga procesi i Vettingut që boshatisi gjykatat.
Top Channel