Tiranë/ Kishte fshehur armën pranë banesës, procedohet në gjendje të lirë i mituri së bashku me dy të tjerë

13/07/2022 11:05

Tre persona, mes tyre një i mitur janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi kishin fshehur armën e zjarrit pranë banesës në rrugën “Gjergj Legisi” të Tiranës.

17-vjeçari me iniciale R. R. kishte fshehur në rrugë, afër banesës së tij një kallashnikov dhe sasi municioni luftarak.

Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe dy persona të tjerë, B. K. 40 vjeç dhe I. Z. 39 vjeç të dy banues në Tiranë, për mos kallëzim të krimit.

Mbi të miturin rëndon akuza e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa për dy personat e tjerë  “Moskallëzimi i krimit”.

Njoftimi policisë:

Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, procedohet penalisht 17-vjeçari që i kishte fshehur në rrugë, afër banesës së tij. Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Gjergj Legisi”, një shtetas kishte fshehur armë zjarri afër banesës së tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në adresën e dhënë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur mes shkurreve, një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin R. R., 17 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit B. K., 40 vjeç dhe I. Z., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA