Shkupi zhvilloi një ndeshje të dobët përballë Lincoln Red Imps F.C. në transfertë, por falë fitores së thellë 3-0 në shtëpi arriti të merrte një kualifikim historik në raundin e dytë të Championsit, ku do të përballet me Dinamon e Zagrebit. Përtej asaj që do të ndodhë ndaj ekipit të njohur kroat, ekipi i shqiptarëve e ka të sigurt pjesëmarrjen deri në play off të Conference League, që do të thotë se do të arkëtojnë të paktën 1 milion euro.
Ekspedita e Shkupit në Gjibraltar, në fakt, pati probleme të shumta para ndeshjes. Një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, Walid Hamidi, humbi pasaportën dhe nuk mundi të hynte në Gjibraltar pak para ndeshjes. Anësori i djathtë, përkundër të gjitha përpjekjeve të njerëzve nga klubi, sërish iu desh të qëndronte në Spanjë. Ai shkoi urgjentisht në Madrid në ambasadën algjeriane në mënyrë që të merrte një dokument të ri udhëtimi.
Kjo është arsyeja pse trajneri Goce Sedloski bëri ndryshime në ekip në minutën e fundit. Në formacionin titullar ishte Zlatkov, por edhe të tjerët duhej të ndërronin vendet. Është e qartë se Hamidi është ndër më të mirët në skuadrën e Shkupit, pa të disa gjëra janë të vështira.
Por tani e gjitha kjo i përket së shkuarës, Shkupi ia arriti qëllimit, u kualifikua në turin e dytë kualifikues të Championsit, ku do të ketë një duel të veçantë me Dinamon e Zagrebit dhe ku janë protagonistë Arijan Ademi e Stefan Ristovski. Dhe ç’është më e rëndësishmja, arkat e klubit do të mbushen plot.
Top Channel