Top Talk/ “Rama, Meta e Berisha një mal i pakalueshëm për shqiptarët”, Gjoni: Nëse do kishte drejtësi, gjërat do ishin ndryshe

12/07/2022 17:21

Ekspertja e Shkencave të Komunikimit, Edlira Gjoni është shprehur se tre politikanët shqiptarë, Edi Rama, Ilir Meta dhe Berisha, kanë krijuar një situatë të rënduar politike në vend, e cila rëndon mbi shqiptarët.

Në një lidhje direkte për Top Talk, ajo tha se këta tre politikanë janë bërë tashmë një mal i pakalueshëm për shqiptarët, pasi janë të njëjtët pretendentë për marrjen e pushtetit në çdo zgjedhje. Ajo tha se ata janë të pushtetshëm dhe fyejnë inteligjencën e shqiptarëve sepse nuk ekziston drejtësia për ta. Sipas Gjonit, nëse ndonjëri prej tyre do kishte përfunduar pas hekurave, gjërat do ishin ndryshe.

Në Shqipëri partitë politike drejtohen nga këta tre njerëz, Meta, Berisha dhe Rama dhe nuk merren mendime të mënyrë kolegjiale. Nuk ka njeri tjetër në PD përveç Berishës, sikundër në PS është shuar çdo mendim ndryshe deri tani. Arsyeja pse Meta është parti më vete është se nuk ja ka dëgjuar njeri fjalën kur ka dashur të thotë një mendim ndryshe në PS. Kjo është situata.

Këta njerëz ndihen të pushtetshëm. Fyerja e inteligjencës ndaj shqiptarëve ndodh për një mori arsyesh. Mbi të gjitha, palët janë vetëm karshi njëra tjetrës. Votuesi shqiptar është vetëm përballë këtij mali të lartë politik, që ka me vete edhe drejtësi. Nëse ndonjëri prej këtyre do kishte përfunduar pas hekurave, për vjedhje, abuzim, korrupsion, nëse Shqipëria do të kishte marrë të poshtën bashkë me të edhe njërin prej këtyre personazheve, atëherë çështjet do ishin ndryshe. Këta janë nga ata njerëz që e kanë vërtetuar se mund t’i vënë flakën Shqipërisë vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre. Mund ta zhysin vendin në borxhe dhe ta shpopullojnë pa iu futur gjemb në këmbë, prandaj kanë marrë këtë lloj fuqie për tu tallur me inteligjencën e njerëzve. Shqiptarët janë vetëm dhe politikanët kanë me vete atë sistem që nuk i ka ndëshkuar deri më tani”, tha Gjoni për Top Talk.

Top Channel