Marrëveshja për Administrimin e Parkut të Butrintit/ Rrëzohet dekreti i presidentit në Komisionin për Ekonominë

12/07/2022 12:25

Dekreti i presidentit Ilir Meta për marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit është rrëzuar sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Shqyrtimi i Dekretit të presidentit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” u shoqërua me debate mes deputetes demokrate Ina Xhupa dhe drejtuesit të komisionit, Eduart Shalsi.

Në qershor Meta riktheu për shqyrtim marrëveshjen për administrimin e Parkut të Butrintit, pasi sipas tij cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

Presidenti theksoi më parë se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.

Projekt ligji që përfshin administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore nga Fondacioni jo shtetëror shqiptaro- amerikan për Zhvillim ka ndezur debat jo vetëm në komision, por edhe në Kuvend.

Top Channel