Paulo Dybala afrohet gjithnjë e më shumë me Interin. Zikaltrit po lëvizin me shpejtësi për të pastruar një repart të mbingarkuar siç është sulmi, teksa pasi kanë ndërprerë bashkëpunimin me Arturo Vidal, po bëjnë të njëjtën gjë edhe me Alexis Sanchez.
Ndërkohë dje ka mbërritur në Milano edhe Edin Dzeko. Sulmuesi boshnjak duhej të bashkohej me grupin të mërkurën, por ka ardhur dy ditë më parë, teksa sot pritet të ketë një takim kokë më kokë me trajnerin Simone Inzaghi.
Vullneti i Dzekos është të qëndrojë, por për këtë do të kërkojë disa garanci nga Inzaghi, teksa pikërisht pas këtij takimi do të vendoset shumë edhe për të ardhmen e tij. Nëse trajneri i garanton minutazh, atëherë boshnjaku do të respektojë kontratën, por nëse shihet si zgjedhje e fundit në hierarki, atëherë do të synojë largimin.
Megjithatë për të firmosur me Dybalën, do të mjaftojë vetëm largimi i Alexis Sanchez, që jo vetëm ul numrin e sulmuesve, por ul ndjeshëm edhe zërin e pagave në buxhet, pasi përfiton rreth 10 milionë euro bruto./ SuperSport
Top Channel