Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi këtë të martë, të rrëzojë kërkesën e prokurorit të Krujës, Bujar Memia, gjatë shqyrtimit të ankimit të këtij subjekti ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për caktimin e masës disiplinore.
“Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryetare, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JD) nr. 3/2021, datë 30.04.2021, që i përket ankuesit Bujar Memia kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nr. 81, datë 31.03.2021, me subjekte të interesuara, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Në përfundim të gjykimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” e Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në mënyrë unanime, vendosi: Mospranimin e ankimit të magjistratit Bujar Memia, kundër vendimit nr. 81, datë 31.03.2021, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia”. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, njofton KPA.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me shumicë votash, vendosi më 31 mars të vitit të kaluar të pranojë kërkesën e ILD për largimin nga detyra të prokurorit të Krujës, Bujar Memia për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimet me kusht. Ishte Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD që i kërkoi KLP-së shkarkimin e Memisë, për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin me kusht të të dënuarve për vepra të rënda penale, Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor të 2020-ës.
Top Channel