Polonia: Muri zvogëloi fluksin e migrantëve nga Bjellorusia

11/07/2022 13:45

Numri i migrantëve që tentojnë të kalojnë kufirin nga Bjellorusia në Poloni, ka rënë për gati dy të tretat qëkur autoritetet polake kanë ndërtuar një mur përgjatë kufirit.

Agjencia e kontrollit kufitar e Polonisë tha të hënën se ka regjistruar 1,766 përpjekje për të kaluar kufirin në mars.

Në qershor, numri ra në 596, sipas një zëdhënësi të cituar nga agjencia e lajmeve PAP.

Polonia ka thënë në fund të qershorit se ka përfunduar një mur të çelikut përgjatë kufirit me Bjellorusinë, për të ndaluar fluksin e migrantëve të paligjshëm.

Radio Europa e Lirë shkruan se dhjetëra mijëra migrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë bërë përpjekje të hynë në Poloni – shtet anëtar i Bashkimit Evropian – nga territori bjellorus, vitin e kaluar, kanë thënë autoritetet polake.

Kufiri që ndan dy vendet, në fakt, është 418 kilometra i gjatë, por pjesa më e madhe e tij është e mbuluar nga uji.

Polonia dhe shtete të tjera të BE-së kanë thënë se Lukashenka e ka orkestruar krizën me migrantë, së bashku me aleatin e tij, presidentin rus, Vladimir Putin, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet që i ka vendosur Perëndimi regjimit bjellorus, pas shtypjes së protestave antiqeveritare, në vitin 2020.

Bjellorusia i ka mohuar akuzat se ka prodhuar krizën kufitare.

Top Channel