Elena Rybakina është tashmë pjesë e historisë në tenis, me 23-vjeçaren e cila triumfoi në Wimbledon për herë të parë në karrierë, pasi mundi tunizianen Ons Jabeur në finale.
E lindur në Rusi, Moskë, por nga 2018 prezantohet nën flamurin e Kazakistanit, Rybakina nuk i shpëtoi dot edhe temës aktuale pas suksesit në Britaninë e Madhe, në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, por në fund Elena u ndal vetëm te Kazakistani.
“Më falni, anglishtja ime nuk është më e mira. Nga ana ime mund të them vetëm se përfaqësoj Kazakistanin, nuk kam zgjedhur vendlindjen. Njerëzit atje (Kazakistan) besuan te unë dhe jam krenare për këtë arritje. Kështu që unë nuk di si t’i përgjigjem kësaj pyetje.” – tha fillimisht Rybakina.
Në finale, ajo vuajti mungesën e prindërve, të cilët nuk ishin të pranishëm pikërisht për shkak të sanksioneve.
“Nuk kam mundur të flas me ta ende, por besoj se ndoshta do të jenë shumë krenarë”– deklaroi tenistja e cila më pas shpërtheu në lot./ SuperSport
Top Channel