Dritan Abazoviç e pranoi se deklarata e tij në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ishte “e paqartë” dhe për këtë, u kërkoi ndjesë familjarëve të viktimave.

“U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Genocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, u shpreh Abazoviç.

Ky reagim i kryeministrit malazez erdhi pas ankesave të të afërmve të viktimave të genocidit, shoqatave dhe përfaqësuesve të partive politike në vend, sipas të cilëve, kreu i ekzekutivit e relativizoi genocidin në Srebrenicë.

“Genocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, tha ai që ditën që shënon 27 vjetorin e masakrës. Nga këtu lindi indinjatë, dhe familjarë të viktimave e shoqata i kërkuan Abazvicit të kërkojë falje duke nënvizuar se përkufizimi i genocidit thotë se ai përbën “synimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

“Fëmijët tanë u vranë vetëm sepse ishin boshnjakë, ata u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizim të krimit”, deklaroi përmes një postimi në Twitter shoqata “Nënat e Srebrenicës”. Edhe Qendra Memoriale e Srebrenicës, i kërkoi Abazovicit të lexojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. “Ndaj boshnjakëve u krye genocid – sepse motivi i vrasjeve nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por ishte vrasja dhe shkatërrimi i një populli”, thanë drejtues të saj. Polemikat erdhën në një moment mjaft delikat për Abazovicin, qeveria e pakicës e të cilit e humbi të dielën mbështetjen e Partisë Demokratike Socialiste, PDS të presidentit Milo Gjukanovic, për shkak të votimit pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

Top Channel