Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe Partia Social Demokrate (DPS) e drejtuar prej tij kanë tërhequr mbështetjen për qeverinë e Malit të Zi e udhëhequr nga Dritan Abazoviç.
Në një deklaratë të lëshuar këtë të diel, partia e Gjukanoviç shprehu keqardhjen për ndryshimin e kursit politik kundër integrimit evropian dhe asaj çka ishte rënë dakord në fillim, ku çështja kryesore i përket miratimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministri aktual Abazoviç.
“E mirëpres vendimin e Kryesisë së DPS-së. Është e përgjegjshme që kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën të mos e kthesh prapa. Së shpejti do të mësojmë për qëndrimin e shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara. Krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë më opsione. E ardhmja evropiane do të mbizotërojë”, shkruan ai në Twitter.
Partia e Gjukanoviç thekson se marrëveshja është votuar pa konsultuar dhe ka mangësi të shumta, që vënë në rrezik shtetin e Malit të Zi. Qeveria e drejtuar nga Abazoviç mori vendimin të premten për miratimin e Marrëveshjen Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe dhe pret mbështetjen e parlamentit.
Top Channel