Tyson Fury ka theksuar edhe njëherë se e ka mbyllur karrierën e tij në ring. Boksieri i famshëm nga Britania e Madhe zhvilloi ndeshjen e fundit në muajin prill në një Wembley të tejmbushur ndaj Dillian White ku me sukses ja doli të mbronte titullin e peshave të rënda duke u konfirmuar si kampioni i padiskutueshëm.
Pas përfundimit të sfidës, i ashtuquajtur “The Gypsy King”, theksoi se ishte ndeshja e fundit në karrierë. Megjithatë, në një sport ku paratë bëjnë ligjin, kishte zëra se Fury do të rikthehej në ring nëse Anthony Joshua mposht Oleksandr Usyk më datë 20 gusht. Megjithatë, së fundmi Fury mohon rikthimin ndërsa thekson se nuk kërkon të rrezikojë më shumë seç duhet dhe të përfundojë në karrige me rrota apo me dëmtim në tru.
“I dëgjoj njerëzit të thonë; Jepi, bëje edhe një ndeshje tjetër. Po nëse unë përfundoj në karrige me rrota? Pastaj do të them që bëra edhe disa ndeshje më shumë dhe përfundova kështu, me dëmtime në tru. E imagjinoni?! Njerëzit harrojnë se jam unë ai që merr grushtet nga ata gjigandët në ring. Tani e kam seriozisht, nuk dua të ndeshem më”, u shpreh 33-vjeçari.
Top Channel