Protestuesit sulmojnë presidencën në Sri Lanka, “ia fusin” me not në pishinë!

09/07/2022 13:21

Mijëra protestues kanë mësyrë rezidencën e presidentit të Sri Lankës në kryeqytetin, Kolombo.

Tubues nga i gjithë vendi marshuan drejt godinës duke kërkuar dorëheqjen Gotabaya Rajapaksas pas muaj të tëra protestash ndaj keqmenaxhimit të krizës se thellë ekonomike që ka pllakosur Sri Lankën. Kreu i shtetit vetë nuk ndodhej aty, pasi i kishte marrë masat për t`u zhvendosur në një zonë më të sigurtë. Me t`u gjendur brenda godinës, protestuesit nuk rezistuan dot pa u kredhur nje here në pishinën e përdorur nga presidenti.

Sri Lanka përballet me një inflacion galopant dhe ka vështirësi të mëdha me importimin e ushqimeve, karburantin e ilaceve. OKB-ja të premten u kërkoi autoriteteve dhe protestuesve të siguronin që tubimi i së shtunës do të ishte paqësor. Por gjendja doli shpejt jashtë kontrollit. Turma vërshoi në distriktin qeveritar të Kolombo, duke përsëritur slogane të tilla si “Duhet të shkoj në shtëpi!” .

Njerëzit thyen disa barrikada të policisë për të arritur në rezidencën e kreut të shtetit. Forcat e rendit qëlluan disa herë në ajër e përdorën gazin lotsjellës në përpjekje për të frenuar turmën, por më kot. Rajapaksa vazhdon të jetë president i vendit e po mbrohet nga një njësi ushtarake, tha për AFP-në një zyrtar i lartë i ministrisë së mbrojtjes.

Top Channel