Është shoqëruar me debate mbledhja e këshillit të mandateve ku diskutohej kërkesa për heqjen e mandatit të ministres Olta Xhacka.
Vetë ministrja nuk është paraqitur në seancën dëgjimore, duke u përfaqësuar nga mbrojtësi ligjor, Genc Cifligu, për të cilin argumentet e 1/10 së deputetëve të opozitës, në mocion janë të përgjithshme dhe lënë hapsirë për abuzime, ndaj nuk mund të vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese.
Cifligu theksoi se vetë znj. Xhacka nuk ka përfituar pasuri publike, gjatë ushtrimit të mandatit të saj. Lidhur me dhënien e statusit të investitorit strategjik të bashkëshortit së ministres, mbrojtësi ligjor u shpreh se “veprimtaria fitimprurëse e bashkëshortit të deputetes nuk rezulton të burojë nga pasuritë e shtetit ose e pushtetit vendor” dhe se nuk ka kontratë apo nën kontratë mes shoqërisë së bashkëshortit të deputetes Xhaçka dhe ndonjë institucioni publik.
“Shoqëria ka marrë statusin pasi ka plotësuar kërkesat ligjore. Sipërfaqësja është tërësisht private. Rezulton se shoqëria nuk do shfrytojë detin dhe zonën përreth por është një shoqëri tjetër, që do të cilë kontratën përkatëse për shfrytëzimin e bregut të detit. Pra, në rastin konkret veprimtaria nuk rezulton të burojë nga pasuri të shtetit, referuar vendimit nuk parashikohet të ketë as një të ardhmen asnjë marrëdhënie kontraktuale, këtë marrëdhënie mund ta kryejë shoqëria tjetër.” u shpreh Çifligu.
“Në dispozita ligjore dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka referenca për papajtueshmërine ose jo të funksionit të deputetit me mbajtjen e funksioneve në sektorin privat nga ana e familjarëve të tyre.
Në asnjë dispozitë të parashikimeve kushtetuese apo ligjore s’ka rregullime që nga një anë të barazojnë sjelljen e familjarit të deputetit qoftë bashkëshortit me sjelljen e deputetit të mandatuar nga elektorati i tij për atë që përfaqëson personalisht apo të mund të cenon të drejtën për t’u zgjedhur me prezumimin që në të ardhmen potencialisht bashkëshorti i deputetes mund të ketë përfitime.” -vijoi më tej Cifligu.
Por argumentet e tij, kanë sjellë reagimin e deputetëve të opozitës. Gazment Bardhi u shpreh se nuk ka ardhur në këtë mbledhje për të dëgjuar, reklamën e kompanisë së bashkëshortit të ministres, por procedurën e dhënies së statusit të investitorit strategjik.
Bardhi: Nese ka ardhur të bëjë avokatin e biznesit ta bejë jashtë. S’kam ardhur të dëgjoj përrallat e tij
Nikolla: Nëse s’keni dëshirë mund ta lini mbledhjen. Kemi ardhur sipas regullores për të degjuar nuk më impresionon me këto ndërhyrje. Ulu ose dil jashtë nëse je i axhituar.
Në përfundim kryeparlamentarja Nikolla, tha se seanca e përmbushi objektivin e saj në rendin e ditës, dhe duke mos qenë një seancë pyetje, caktoi mbledhjen e radhës të premten e ardhshme.
Top Channel