Në një mbledhje të jashtëzakonshme, qeveria maqedonase e shqyrtoi propozimin francez që synon të zhbllokojë ngërçin me Bullgarinë dhe heqjen e vetos të saj që po mban peng nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ekzekutivi i shtetit fqinj vendosi që kornizën negociuese t`ia kalojë tani për diskutim parlamentit ku do miratohen dhe konkluzionet lidhur me dokumentet e BE-së.

Partia më e madhe opozitarë maqedonase, VMRO-DPMNE, i mbetet qëndrimit të saj se propozimi francez është në dëm të interesave të Maqedonisë së Veriut si shtet dhe qytetarëve të saj, pasi sipas saj vihet në rrezik identiteti dhe gjuha maqedonase.

Përfaqësuesi i saj, Dragan Kovaçki është shprehur më herët se propozimi francez paraqet ultimatum të të gjitha kërkesave të palës bullgare.

“Qeveria duhet të dëgjojë zërin e popullit dhe jo të vendosë në kundërshtim me vullnetin e tij. Përmes protestave, populli tha se nuk do të pranojë ultimatum. Kovaçevski dhe Qeveria tani duhet të tregojnë nëse janë me popullin e vet apo kundër tij”, u shpreh politikani opozitar.

Prej ditësh, Shkupi është bërë skenë e protestave të dhunshme kundër këtij propozimi, për të cilin demonstruesit thonë se rrezikon gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Tensionet janë të larta, e policia maqedonase së fundi parandaloi një incident madhor gjatë protestave.

Një person u arrestua pasi qëlloi disa herë me armë zjarri, të shtëna këto për të cilat kreu i opozitës, Hristian Mickovski, i cili ishte duke marrë pjesë në protestë, pretendon se e kishin atë të shënjestër.

Përpara sheshit ‘Skëndërbeu’ janë dëgjuar sërish thirrje antishqiptare sërish teksa protestuesit u përplasën me policinë.

Këtu filloi dhe incidenti me hedhjen e gurëve ndaj objekteve dhe veturave në afërsi të sheshit ku ndodhet edhe një hotel pronari, pikërisht personi që shtiu me armë zjarri dhe u prangos më pas nga efektivët. Mickovski foli për një montazh klasik politik.

“Ky duhej të dukej si një konflikt ndëretnik. Kam marrë informata joformale për eliminimin tim nga autoritetet. Pamë persona me armë, pati edhe të shtëna, policia iku. Kam një mesazh për shqiptarët: Ne duhet ta ndërtojmë bashkë ardhmërinë ashtu siç e kemi ndërtuar me shekuj. Një mesazh për maqedonasit, të qëndrojmë dinjitoz dhe të luftojmë”, deklaroi ai.

 

Top Channel