E mërkura shënoi sërish protesta të dhunshme në shkup për të penguar miratimin nga autoritetet qeveritare të propozimit francez për një kompromis midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do t’i hapte rrugën Shkupit për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Një incident i rëndë ndodhi në sheshin Skenderbe të Shkupit, ku pati të shtëna me armë zjarri, që nxiti më pas një shkëmbim të ashpër akuzash mes opozitës dhe partive në pushtet.

Kryetari i opozitës VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se ai ishte në shënjestër të një sulmi me armë. Në një konferencë shtypi të mërkurën vonë, ai tha se një person, për të cilin mediat në Shkup kanë raportuar se është nga komuniteti shqiptar i vendit, kishte shtënë me armë.

“Kam marrë njoftime për përpjekje për likuidimin tim dhe ajo revole ishte dashur të më marrë mua në shënjestër. E gjithë kjo është planifikuar nga pushteti sepse polici nuk ishte askund kur personi filloi të hapë zjarr”.

Protesta të dhunshme pati edhe para parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ku u hodhën gurë dhe mjete piroteknike.

Autoritetet thonë se dy pjesëtarë të policisë kanë marrë lëndime. Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE dhe E Majta vazhdojnë të bëjnë thirrje për protesta të përditshme dhe me pjesëmarrje dhe madhe.

Top Channel