Rezoluta për Sbrebenicën? Basha: Ta votojmë sot, nesër mund të jetë vonë

07/07/2022 11:43

Kuvendi shqiptar duhet të miratojë sot rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, tha deputeti demokrat, Lulzim Basha, në fjalën e tij në kuvend.

Këtë të enjte në parlament po prezantohet dhe diskutohet projekt/rezoluta për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebenicë.

Sipas Bashës, rezoluta duhet votuar për të t’i hapur rrugën të ardhmes, që nuk mund të jetë e paqtë për rajonin pa u shëruar plagët e një lufte që shqiptarët kanë pësuar.

“Që Serbia të integrohet plotësisht në rajon, duhet ta kushtëzojmë me kërkesën e faljes, me pranimin e krimeve, prandaj që e shkuara të mos harrohet, e që të mos lejojmë që faktet alternative të kurdisura nga propaganda hileqare dhe mohuese, të ndryshojnë historinë sipas orekseve politike apo konjukturave ndërkombëtare të momentit, duhet t’i tregojmë njëzëri që rruga drejt së ardhmes është vetëm përmes pranimit të së shkuarës, pranimi i së vërtetës, distancimit të plotë dhe të prerë Milosheviçi dhe kërkesa e faljes nga autoritetet aktuale të republikës së Serbisë.

Me këtë akt të sotëm, ndonëse të vonuar, ne nderojmë  kujtimin e më shumë se 8.000 viktimave të pafajshme boshnjake të gjenocidit të Srebrenicës.

Të mohosh gjenocid ne Bosnje dhe në Kosovë tregon se nuk je ndarë nga e kaluara, por i përket asaj, nuk kërkon bashkëjetesë por vazhdimin e konflikt të ngrirë, duke mbrojtur të shkuarën e përgjakshme, mbetesh peng i saj dhe nuk sheh dot drejt së ardhmes.

Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit tonë mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme.

Sot ka përpjekje për t’i ikur të vërtetës,  për të mbrojtur krimet duke fshehur edhe gjurmët, siç janë varret masive ku janë fshehur trupat e shqiptarëve të masakruar të Kosovës, mes tyre me mijëra fëmijë”, tha deputeti.

Kushdo që ka kryer krime lufte duhet të mbajnë përgjegjësi, theksoi ai më tej.

“Sot edhe nën agresion Rus ne Ukrainë, bota demokratike duhet të angazhohet seriozisht dhe fort, për të mbyllur konfliktet e ngrira që herë pas here janë gati të ndizen dhe Shqipëria duhet të bëjë rolin e saj. 

Sot është koha që së bashku me aleatët tanë euro-atlantikë të veprojmë shpejt me atë ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe solidariteti që treguam pas agresionit rus, për t’i prerë rrugën çdo përpjekjeje për cenimin e integritetit territorial dhe karakterit multi-etnik të Bosnje-Hercegovinës, për të përmbyllur procesin e njohjes së Kosovës dhe nisjes së procedurave të anëtarësimit të saj në strukturat euro-atlantike, në NATO. Sot është koha, nesër mund të jetë vonë”.

Top Channel