Teksa Kuvendi i Shqipërisë po mban një seancë ku pritet që të dënojë gjenocidin serb në Srebrenicë, presidenti i Bosnje-Hercegovinës, Sefik Dzaferovic i është drejtuar me një video-mesazh Kuvendit të Shqipërisë, duke përshëndetur nismën.
Šefik Džaferović: E nderuar kryetare e kuvendit, të nderuar deputetë të Republikës së Shqipërisë, zonja dhe zotërinj, të dashur miq. Në ditët në vijim bëhen pikërisht 27 vite nga gjenocidi në Srebrenicë, krimi më i madh masiv në tokën europiane pas Luftës së Dytë Botërore.
Vetëm për disa ditë, pas 11 korrikut 1995, njësitë e Ushtrisë dhe Policisë së Republikës Srpska vranë më shumë se 8000 burra dhe djem. Siç konstatohet në vendimet e Gjykatës së Hagës, i gjithë operacioni u krye nën urdhrat dhe mbikëqyrjen e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Republikës Srpska. Veprimi i asaj industrie të batishme të vdekjes shqetësoi ndërgjegjen e njerëzimit dhe vuri në dukje pasojat katastrofike të komunitetit ndërkombëtar, i cili në mënyrë pasive, për tre vjet vëzhgoi rrethimin e Srebrenicës “zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara”. Tragjedia në Srebrenicë është bërë një simbol planetar i vuajtjes dhe krimit në epokën moderne.
Edhe sot, 27 vjet më vonë, fjala Srebrenicë jonë me tmerrin dhe dhimbjen më të fuqishme. Me mirënjohje dhe vlerësim mora lajmin për synimin e Kuvendit të Shqipërisë për miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Falenderoj të gjithë deputetët që mbështetën miratimin e kësaj rezolute. Me këtë akt, Shqipëria konfirmon përkatësinë e saj në botën e qytetëruar dhe Kuvendi i Shqipërisë i bashkohet PE-së, Kongresit Amerikan dhe më shumë parlamenteve në botë, Europës dhe rajonit që miratuan rezolutën. Ky është një akt shum thelbësor dhe shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin dhe Ballkanin Perëndimor. Rivendosja e besimit në rajon është e mundur vetëm me respekt për të vërtetën, sepse respekti për të vërtetën është respekt për viktimat.
Shpresoj që një ditë të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim do të fillojnë të respektojnë viktimat duke pranuar të vërtetën. U takon atyre ta bëjnë këtë dhe të sigurojnë një të ardhme normale dhe të shëndetshme, ose do të vazhdojnë të mohojnë, duke penguar kështu rikthimin e besimit dhe duke mbajtur peng brezat e reja me të kaluarën. Republika e Shqipërisë dhe Bosnja-Hercegovina janë dy vende të afërta dhe jashtëzakonisht miqësore. Vendet tona kontribuojnë në krijimin e një mjedisi paqësor dhe demokratik në rajon. Popujt tanë janë të lidhur me lidhje të shumta historike, kulturore dhe përgjithësisht njerëzore. E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ajo është evropiane dhe euroatlantike. Në këtë këndvështrim e shoh këtë akt të Kuvendit të Shqipërisë. Qëllimi i kujtimit dhe nderimi i viktimave është të sigurohet që tmerri i gjenocidit të mos ndodhë më kurrë. Ashtu siç thotë lutja e Potoçarit: Dhimbja të jetë shpresa, në vend të hakmarrjes të jetë drejtësia. Lotët e nënës të jenë lutje që Srebrenica të mos i ndodhë më kurrë askujt.
Top Channel