Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në podiumin e protestës para godinës së Kryeministrisë e konsideroi armik kreun e qeverisë, Edi Ramën.

Ai u shpreh se e konsideron armik sepse ideali i tij është pushteti, kurse i demokratëve është liria.

“Ky është uragani i lirisë, keni ardhur nga të gjitha anët, zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Keni ardhur nga mijëra kilometra larg, nga SHBA, Europa, për t’u bashkuar me frontin e shpëtimit të Shqipërisë. Zoti ju bekoftë. Mirënjohje për djemtë dhe vajzat, gratë e burrat që lanë gjithçka dhe u bashkuan në protestë, duke u bërë burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët.

Sonte më shumë se kurrë, mendjet, zemrat e sytë e mbarë shqiptarëve janë drejtuar tek ju. Erdhën nga të katër anët në bulevard sepse ju thirri ora e lirisë, ju thirri ora e Shqipërisë.

Pushtimi ju ngriti në këmbë, për të shpëtuar vendin. ka vendosur monizmin plotë, ai ia mbathi, koha e tij është e numëruar.

Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë.

Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin, tha Berisha.

Gjatë fjalës së Berishës, dëgjohen fjalë pro tij.

“O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do! Rama ik!”, thanë qytetarët njëzëri në turmë.

Top Channel