Greqia do të rrisë pensionet vitin e ardhshëm për herë të parë në më shumë se një dekadë, tha kryeministri i saj Kyriakos Mitsotakis. 

Gjatë krizës së saj financiare dhjetëvjeçare që shpërtheu në vitin 2009, Athina u detyrua nga huadhënësit e saj ndërkombëtarë të ulte pensionet më shumë se 10 herë, në mënyrë që të reduktonte shpenzimet shtetërore dhe të përmbushte objektivat e saj fiskalë.

Vendi mori tre paketa ndërkombëtare ndihme dhe kaloi nëpër trazira të mëdha ekonomike që bëri që shumë të rinj grekë të largoheshin nga vendi.

Por Mitsotakis tha se tani Greqia kishte kthyer me sukses një faqe nga kaosi financiar.

Duke reflektuar për vitin 2015, kulmin e krizës financiare, Mitsotakis vuri në dukje përparimin e fundit të vendit.

“Për fat të mirë e gjithë kjo i përket së kaluarës. Sot Greqia është një Greqi ndryshe,” tha ai.

Ekonomia e Greqisë pritet të zgjerohet me 3.2% këtë vit, sipas bankës qendrore, pak më e ulët se sa ishte parashikuar më parë për të reflektuar rritjen e pasigurisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe inflacionit.

Kryeministri Mitsotakis  ka qenë nën presionin e vazhdueshmë të opozitës për të thirrur zgjedhje të parakohshme për trajtimin e pandemisë së COVID nga qeveria e tij, si dhe për inflacionin dhe rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, të cilat kanë goditur rëndë familjet.

Top Channel