Nga orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës nisi një aksion në komunën e Shtërpcës. 

Ky aksion u zhvillua nën dyshimet për veprën penale “bashkim në veprime kundër kushtetuese” dhe veprën tjetër penale të “spiunazhit”, kështu Policia filloi me sekuestrimin e kamerave të sigurisë nëpër Shtërpcë nën pretendimin se janë të vendosura nga strukturat ilegale.

Nga aksioni i policisë së Kosovës në Komunën e Shtërpcës u bastisën katër lokacione. Zyra e strukturave ilegale në këtë komunë, zyra e postës lokale dhe një media lokale e po ashtu edhe një shkollë.

Nga shkolla policia sekuestroi mjete për monitorimin e kamerave të sigurisë. Ndërkohë që në tri lokacionet e tjera u sekuestruan dokumente dhe pajisje kompjuterike.

Derisa nga bastisja policia mbushi dy kamionë me dokumente, aksioni përfundoi pa të arrestuar dhe për intervistim u paraqit në polici vetëm drejtori i shkollës, ndërkohë që drejtori i medias lokale mbetet në arrati.

Aksionin kundër strukturave ilegale në Shtërpcë nuk e mirëpriti kryetari i kësaj komunë Dalibor Jevtiq.

“Theksi kryesor i aksionit të sotëm ishte në, atë, që i gjithë opinioni u informua se këtu po hiqen disa kamera ilegale që përdoren për spiunazh, njerëz, kjo nuk është e vërtetë dhe mjaft më me ta pavërteta. Ata kanë qenë këtu të hënën dhe kanë kontrolluar pikërisht dhomë ku ndodhet serveri dhe nuk kanë gjetur asgjë, le të themi të paligjshme”, tha Dalibor Jevtiq, kryetar i Komunës së Shtërpcës.

Aksioni për goditjen e strukturave ilegale lidhet edhe me ish kryetarin e Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq, meqë ai është koordinator i strukturave paralele në këtë qytet të banuar me shumicë serbe.

Nikoliq është arrestuar muaj me parë nga policia e Kosovës gjatë aksionit “Brezovica” për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ndërtime pa leje në parkun e Brezovicës.

 

Top Channel