Një “tufë” me Ferrari prej disa ditësh të braktisura në rrugët e Londrës, pronarët super pasanikë nuk i “tremb” as gjoba

06/07/2022 16:38

Një flotë e vërtetë me makina luksoze e të shtrenjta janë lënë praktikisht të braktisura prej disa ditësh tashmë në hyrje të një prej hoteleve më të shtrenjtë në Londër.

Të paktën 6 makina janë fotografuara të parkuara në mënyrë të parregullt, por që gjobiten rregullisht çdo ditë.

Megjithatë, kjo duket se nuk i shqetëson pronarët e tyre, të cilët as nuk denjojnë të shkojnë të marrin fletët e gjobave, por në disa raste dërgojnë ndihmësit e tyre për ta bërë këtë gjë.

Top Albania Radio shkruan se makinat u fotografuan në hyrje të hotelit të famshëm “May Fair” në kryeqytetin anglez, ku një natë qëndrimi kushton deri në 3500 paund.

Sipas “The Sun”, një gjobë e vendosur për parkim të gabuar në atë zonë arrin deri në 130 paund, por kjo duket se nuk i ka shqetësuar pronarët e makinave. Mes mjeteve të rreshtuara para hotelit është një Bugatti Chiron me vlerë 2,4 milionë paund, Lamborghini Murcielago me vlerë 700 000 paund, një Ferrari 458 Speciale, me vlerë 400 mijë paund, një Ferrari 355 me vlerë 100 paund dhe një Ferrari 360 me vlerë rreth 70 000 paund.

Londra kthehet në “kënd lojërash” për të rinjtë pasanikë, sidomos nga Lindja e Mesme, gjatë muajve të verës.

Shpesh, pronarët marrin me vete të gjitha makinat në pronësi për të shëtitur në rrugët e kryeqytetit anglez. Në disa zona madje janë instaluar kamera për pikasjen dhe matjen e zhurmave të makinave.

Rikujtojmë se Ferrari po planifikon të zgjerojë fabrikën e saj në pjesën veriore të Italisë si pjesë e planit strategjik për linjën e makinave elektrike, plan të cilin pritet ta bëjnë publike gjatë një konference të shumëpritur gjatë javës së ardhshme.

Prodhuesi i makinave ka blerë hapësirë të re afër fabrikës në Maranello dhe kanë filluar të hapin rrugë për linjën e tretë të prodhimit, linjë kjo e cila do t’i kushtohet prodhimit të makinave elektrike.

Top Channel