Kryeministri Johnson lufton për të mbajtur pushtetin

06/07/2022 20:34

Kryeministri britanik Boris Johnson theksoi të martën në parlament se do qëndrojë në pushtet, pavarësisht dorëheqjeve të djeshme dhe të sotme të disa ministrave të kabinetit të tij.

Pushteti i zotit Johnson mori një goditje të rëndë sidomos nga dorëheqjet e Sekretarit të Thesarit, Rishi Sunak dhe Sekretarit të Shëndetësisë, Sajid Javid. Ata thanë se nuk mund ta mbështesin më kryeministrin për shkak të trajtimit të tij të një mori skandalesh, duke përfshirë edhe rastin e një zyrtari të lartë të akuzuar për ngacmim seksual.

Kryeministri i zëvendësoi menjëherë pjesëtarët e dorëhequr të kabinetit, megjithatë, mediat britanike njoftojnë se përkrahja për zotin Johnson brenda partisë së tij, po bie me shpejtësi të madhe.

“A ka ndonjë rrethanë për të cilën kryeministri mendon se ia vlen të japë dorëheqjen?”

Kjo pyetje u bë sot në parlamentin britanik nga një prej deputetëve të partisë konservatore, duke treguar qartë se përkrahja për Kryeministrin Boris Johnson po vazhdon të bjerë në partinë e tij.

“Puna e një kryeministri në rrethana të vështira, kur atij i është dhënë një mandat me mision të jashtëzakonshëm, është që të vazhdojë përpara”, u përgjigj kryeministri, duke kujtuar se dorëheqja e tij do rrezikonte edhe përkrahjen për popullin ukrainas, që po përballet me agresionin rus.

Kryeministri Johnson u akuzua disa herë për mënyrën se si i ka trajtuar një mori skandalesh, duke përfshirë edhe rastin e zotit Chris Pincher, i cili megjithë akuzat për ngacmim seksual, u mbajt në një pozitë të rëndësishme qeveritare.

“Ai e dinte që ministri i akuzuar edhe më parë ka bërë sjellje të tilla, por megjithatë ai e ngriti atë në detyrë. Pse?”, shtroi pyetjen udhëheqësi i Partisë Laburiste në opozitë, Kei Starmer.

“Sapo u njoftova për akuzat ndaj tij, ai e humbi statusin si deputet konservator. Tani ai është subjekt i një hetimi të pavarur nga komsioni për ankesa. Unë gjithashtu dua t’i them kryetarit të parlamentit, që e urrej bulizmin dhe abuzimin me pushtet kudo, në partinë time, në parlament apo në partitë tjera”, tha zoti Johnson.

Dorëheqjet e Sekretarit të Thesarit Rishi Sunak dhe Sekretarit të Shëndetësisë Sajid Javid pasuan muaj të tërë pakënaqësie brenda Partisë Konservatore lidhur me gjykimin dhe etikën e kryeministrit.

Ne letrën e dorëheqjes zoti Sunak vinte në dukje se “publiku me të drejtë priste që qeveria të drejtohej siç duhet, me kompetencë dhe seriozitet.” Kryeministri Johnson tashmë ka emëruar zëvendësuesit e tyre, por dorëheqjet kanë vazhduar edhe sot nga pjesëtarë të tjerë të qeverisë.

Kryeministri britanik ka kohë që përballet me akuza, përfshirë edhe për organizimin e festave gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit. Kundërshtarët e Kryeministrit Johnson shpresojnë të ndryshojnë rregullat e partisë për të lejuar një mocion tjetër mosbesimi. Kryeministri britanik i mbijetoi një votimi të tillë në qershor.

Top Channel