Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i mohoi deklaratat e zyrtarëve në Kosovë se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.

Vuçiç tha se mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta.

“Askush nuk më ka pyetur për bisedime. Unë nuk ik nga asnjë takim. Kryesisht ai [Kurti] ka ikur nga takimet”, tha Vuçiç në një konferencë për gazetarë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Takimin e ri Kurti-Vuçiç në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media më 4 korrik.

Vuçiç shtoi se Serbia është e përkushtuar për paqe dhe se nuk do ta harrojë popullin e saj në Kosovë.

“Lexoj në shtypin e Prishtinës se Vuçiç po kërcënon. Me çka? Serbisë i duhet paqe, nuk ka nevojë për konflikte, ka nevojë për zhvillim. Ne nuk mendojmë se është e mundur të arrihet diçka me luftë apo me mjete ushtarake. Kjo nuk do të thotë se do të lejojmë persekutimin dhe vrasjen e popullit tonë [në Kosovë], por angazhimi ynë është paqja”, tha ai.

Vuçiç nuk dha ndonjë provë apo detaj rreth persekutimit dhe vrasjeve që përmendi.

Në konferencën për gazetarë, ai komentoi edhe një video të publikuar më 5 korrik nga Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – parti udhëheqëse në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në atë video, Radoiçiq ka deklaruar se “terrori kundër popullit serb sapo ka filluar”.
“Njerëzve të mi në veri të Kosovës dhe të tjerëve, dua t’u them vetëm: Unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, kthim nga këtu nuk ka”, ka thënë Radoiçiç në video.

Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së, për shkak të dyshimeve se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe disa serbë të tjerë u përkasin rrjeteve korruptive, që janë të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.

I pyetur se si e komenton deklaratën e Radoiçiqit, Vuçiç tha se “çdo serb ka të drejtë të jetojë ku të dojë”.

“E ku do të duhej të ishte Milan Radoiçiq, i cili është nga Kosova? Apo do të preferonit më shumë që të nxjerrim dhe të urdhërojmë njerëz nga veriu [i Kosovës] që të tërhiqen në Serbinë qendrore? Se ku ndodhet ai, është çështje e tij private. Kjo nuk ka asnjë lidhje me shtetin. A ju pengon që dikush gjendet në shtëpinë e tij, në vatrën e tij? Doni ta dëboni? A është ideja që të dëbohen serbët nga Kosova?”, u përgjigj Vuçiç.
“Çfarë më intereson mua se cili është mesazhi i videos. Pyeteni atë se çfarë ka dashur [të thotë]”, shtoi Vuçiq.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës duhet ta arrestojë Radoiçiqin nëse shkel në territorin e Kosovës, sepse aktualisht ekziston një urdhërarrest, për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në rastin e njohur si “Brezovica”.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë ashpërsuar pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, ka marrë vendim për riregjistrimin e veturave me targat që i lëshojnë autoritetet e Serbisë, me targa RKS (Republika e Kosovës).

Qeveria e Kosovës, po ashtu, ka marrë vendim për reciprocitet mbi dokumentet serbe, që do të thotë se të gjithë ata persona që hyjnë në territorin e Kosovës me dokumente të Serbisë, do të pajisen në kufi me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.
Qeveria e Serbisë ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, ndërsa Vuçiç ka thënë se nuk do të lejojë “persekutimin e serbëve”.

Duke folur për gazetarët të mërkurën, Vuçiç tha se është i lumtur që Parlamenti Evropian nuk e ka pranuar një propozim për ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit midis Serbisë dhe BE-së, për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj luftës në Ukrainë.

Vuçiq tha se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të veprojë në përputhje me interesat e shtetit.

“Ka pasur përpjekje nga disa deputetë të Parlamentit Evropian që të votohet për ndërprerjen e negociatave me Serbinë. Na vjen mirë që nuk është votuar, sepse do të ishte gabim… Falënderoj shumicën në PE që nuk ka pranuar”, tha Vuçiç.

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë, ku thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të “bazohet në njohjen reciproke”. Kjo është hera e parë që në një dokument zyrtar të një institucioni evropian përmendet njohja reciproke.

Me këtë rezolutë, përfaqësuesit evropianë po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së”, si dhe “të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër shtetit rus, i cili ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë qysh më 24 shkurt.

Top Channel