47 policë u plagosën gjatë protestës së mbrëmshme në Shkup; 11 prej tyre kanë lëndime serioze e dy janë në gjendje të rëndë sipas ministrisë së brendshme maqedonase.
Protesta nisi përpara godinës së Qeverisë në orën 19.00 dhe përfundoi disa orë më vonë përpara ndërtesës së parlamentit. Me thirrjet “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, protestuesit maqedonas kanë sulmuar policinë e kanë dëmtuar fasadat e godinës së kryeministrisë, ministrisë së jashtme dhe parlamentit, pasi hodhën deri edhe sende hekuri, pllaka betoni, koketeje Molotov e mjetet piroteknike. “Mëso historinë maqedonase”, ishin sloganet e tyre për ministrin e jashtëm Bujar Osmani, emrin e të cilit në pankarta e kishin deformuar në Bugar Osmani, ndërsa kërkuan dorëheqjen e tij dhe të kryeministrit, Dimitar Kovaçevski. Për shkak të situatës së rënduar të sigurisë në qendër të Shkupit, presidenti Stevo Pendarovski u detyrua të anulonte një intervistë të parashikuar në një stacion televiziv, zyrat e të cilit gjenden shumë pranë godinës së Kuvendit.
Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Europian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim. Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka bërë thirrje për protesta të qeta dhe demokratike duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe këtë të drejtë askush nuk guxon tua mohojë. Prej dy vitesh tashme, Bullgaria ka bllokuar përmes vetos fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, duke penguar kështu edhe Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Europian.
Top Channel