”Rusia të përgatitet”, strategu amerikan merr komandën e NATO-s në Europë!

05/07/2022 12:27

Flet rusisht e ka një diplomë master nga Universiteti i Yale në studimet ruse; gjenerali i ushtrisë amerikane Christopher Cavoli, i cili mori detyrën si komandanti i ri suprem i aleatëve të NATO-s në Europë (SACEUR) në një ceremoni në Mons, Belgjikë, është një ekspert i çështjeve ruse, e caktimi i tij në këtë moment duket, nuk është pa qëllim.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e pohoi në fjalimin e tij në hapje të ceremonisë se Cavoli merr frerët e aleancës në kontinentin e vjetër pikërisht në mesin e një “konflikti brutal në Europë”, duke zëvendësuar gjeneralin në pension, Tod Wolters si komandant i SACEUR. Stoltenberg theksoi rolin e Cavoli-t në mbikëqyrjen e grumbullimit të fundit të dislokimeve të trupave amerikane në Evropë si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Gjenerali do të jetë përgjegjës kryesor për planifikimin dhe zbatimin e masave ushtarake të dizajnuara për të mbrojtur aleancën perëndimore dhe për të penguar Rusine.

Cavoli ka lindur në Gjermani dhe ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në bazat ushtarake amerikane. Ai iu bashkua ushtrisë amerikane në vitin 1987 dhe ka shërbyer në Bosnje-Hercegovinë, Irak dhe Afganistan. Krahas rusishtes, flet edhe frëngjisht dhe italisht.

Në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë, NATO vendosi të rishikojë rrënjësisht mbrojtjen e saj duke angazhuar mbi 300,000 trupa për gatishmëri të lartë dhe dislokim të mundshëm të shpejtë.

Tani, Cavoli, si komandanti i ri suprem i aleancës për Europën – dhe një nga zyrtarët e rangut më të lartë të saj – duhet të ndihmojë në realizimin e këtij objektivi, ndërkohë që NATO përgatitet për dy anëtarë të rinj, Finlandën dhe Suedinë.

Top Channel