Gjermania në darën e inflacionit, ekspertët: Paga më të larta dhe përfitime sociale!

05/07/2022 12:34

Krizës së çmimeve nuk i ka shpëtuar as motori i ekonomisë europiane, Gjermania.

Inflacioni i lartë ka detyruar kancelarin gjerman Olaf Scholz ta pranojë se rritja e çmimeve po shqetëson shumë qytetarë në vend, dhe i kërkoi atyre të përkrahin dhe mbështesin njëri-tjetrin.

Sipas të dhënave të fundit çmimet në qershor u rritën me 7.6% krahasuar me një vit më parë, dhe Scholz premtoi organizimin e një takimi ekspertësh për të trajtuar krizën e kostove të jetesës. Në takim janë  sindikatat, punëdhënësit, përfaqësues të Bankës Qendrore (Bundesbank) dhe akademikë. Fushata që mban emrin  “Veprim i Koncertuar” të kujton përpjekje të ngjashme të ish-kancelarëve të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1960 dhe 1970, thonë mediat vendase.

Ekonomistë dhe politikanë kanë hedhur ditët e fundit disa ide për të lehtësuar barrën e kostove mbi qytetarët.Ministri i Punës, Hubertus Heil, doli me propozimin që të paguhet një shtese vjetore për beqarët të cilët fitojnë më pak se 4,000 euro bruto në muaj dhe për të martuarit që fitojnë më pak se 8,000 euro së bashku. Por ekspertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike, argumentojnë se një masë e tillë ofron vetëm lehtësim të përkohshëm.

“Vetëm paga më të larta dhe përfitime sociale mund të kompensojnë në mënyrë të qëndrueshme dëmin ndaj qytetarëve me të ardhura të mesme dhe të ulëta,” tha presidenti i institutit Fratzscher për agjencinë e lajmeve DPA. Politikania social-demokrate, Saskia Esken, kërkoi rritjen e ndihmave dhe mbështetjes sociale në përshtatje me rritjen e inflacionit, dhe një ngritje të ndjeshme dhe të përhershme të pagave, veçanërisht të pagave të ulëta. Ekspertja ekonomike e partisë CDU, Julia Klöckner, nga ana tjetër bëri thirrje për uljen e përhershme të taksave, ndër të tjera ato mbi energjinë

Top Channel