Fermerët holandezë bllokojnë magazinat ushqimore në protestë ndaj kufizimeve ‘mjedisore’ të prodhimit nga qeveria (fotot)

05/07/2022 16:51

Lëvizja e protestës së fermerëve në Holandë kundër kufizimeve qeveritare të prodhimit, ka vijuar kësaj jave me bllokimin e qendrave të shpërndarjes, duke kundërshtuar rregullat e reja mjedisore të qeverisë me të cilat kërkohet reduktimi i kokëve të gjedhëve dhe prodhimit, prej emetimeve të azotit.

Peshkatarët holandezë treguan dje mbështetjen e tyre për fermerët duke bllokuar portet, çka bëri që thuajse të gjitha tragetet të ndalonin trafikun në brigjet veriore dhe ishujt Wadden duke shkaktuar vonesa të gjata në kompanitë e transportit.

Dje fermerët përdornin traktorët e tyre për të bllokuar hyrjet e magazinave me tufa kashte.

Veprimi grevist ishte njoftuar paraprakisht teksa fermerët kishin bërë thirrje për paralizim të të gjithë vendit” prej politikave të kufizimit.

Aeroportet gjithashtu kishin bërë përgatitje për bllokada në rrugët hyrëse, por në shumicën e rrjetit të dendur rrugor të vendit trafiku raportohej normal.

Policia tha se do të ndërhynte nëse demonstruesit zhvendosen për të bllokuar rrugën hyrëse në aeroportin ndërkombëtar të Schiphol pranë Amsterdam.

Janë tashmë disa javë që kur fermerët holandezë protestojnë ashpër e në disa raste dhunshëm kundër politikave sipas tyre “absurde” të qeverisë për reduktimin e kokëve të kafshëve prodhuese, me qëllim reduktimin e emetimeve të azotit.

Masa e reduktimit të emetimeve të kërkuar nga qeveria  do të ishte e barazvlefshme me mbylljen e 30 përqind të fermave të vendit ose me reduktimin e 30 përqind të kafshëve në to.

FOTO GALERI
2/3
Dje fermerët përdornin traktorët e tyre për të bllokuar hyrjet e magazinave me tufa kashte.

Top Channel