Gjashtë persona u vranë dhe 15 u plagosën në një sulm rus në Slovyansk, një qytet në Ukrainën lindore, tha sot kryebashkiaku Vadim Liakh.
Ai tha me anë të një video të postuar në Facebook, se këto ishin goditjet më të rënda nga raketahedhës të shumtë në një kohë të gjatë.
“Ka pasur 15 zjarre, kemi më shumë të vdekur dhe të plagosur”, tha Liakh.
Tetiana Ignachenko, zëdhënëse për rajonin e Donetsk të cilit i përket Slovyansk, tha për mediat ukrainase se “gjashtë persona u vranë dhe 15 u plagosën” në bombardime.
Sipas mediave ukrainase, një nga zjarret ka rënë në tregun e qytetit.
Më në jug, qyteti i Kramatorsk, qendra administrative e Donbas-it nën kontrollin e forcave ukrainase, është shënjestër e sulmeve për të dytën ditë radhazi. Sipas kryebashkiakut Oleksandr Goncharenko, qyteti u godit nga raketat Smerch.
Sipas tij, është goditur një zonë banimi dhe një hotel bosh, por nuk ka pasur viktima.
Slovyansk dhe Kramatorsk janë nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga forcat ruse, veçanërisht nëse Kievi konfirmon rënien e Lisichansk.
Top Channel