Shumë shpejt fermerët e fshatrave të Tiranës mund t’i tregtojnë produktet e tyre në tregun e madh ushqimor në Farkë.
Ky treg do të jetë publik, me tarifë minimale për tregtarët e vegjël dhe nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Puna për ndërtimin e tregut ka nisur dhe faza e parë e punimeve thuajse ka përfunduar.
Veliaj tha se kjo i jep zgjidhje situatës monopol të krijuar në tregun ushqimor dhe tregtarët e të gjitha zonave përreth Tiranës mund t’i shesin produktet e tyre me çmimet që i përcaktojnë vetë. Po ashtu, edhe konsumatorët i blejnë produktet me çmime më të lira dhe cilësi më të mirë.
“Për një kohë shumë të gjatë, madje më shumë seç duhet, kemi pasur një monopol në tregun e shumicës, ku fitimin më të madh nuk e kishte as prodhuesi, as konsumatori, por ndërmjetësi – pra, ai që kishte në zotërim tregun në Kashar, i cili si ndërmjetës fitonte pa bërë ndonjë punë të madhe. Ndërkohë, ne duam që të fitojë fermeri, duke ia bërë thuajse të papërfillshme tarifën e hyrjes në treg, por edhe konsumatori, që do t’i blejë produktet me një çmim më të ulët. Në këtë mënyrë, zhdukim rolin e ndërmjetësit, që faturonte çdo arkë dhe çdo kilogram që hyn në tregun e shumicës”, tha Veliaj.
Sipas tij, tregu i ri, i cili është një investim i përbashkët mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Bujqësisë, do të jetë i hapur çdo fundjavë për qytetarët që duan të bëjnë furnizimet e javës.
“Në platformat e mëdha do të funksionojë tregu i shumicës, kurse në pjesën qendrore – sipas modelit që kemi parë në Verona dhe Bologna, – do të funksionojë tregu i pakicës ose siç quhet ndryshe tregu fshatar, i cili do të jetë i hapur kryesisht në fundjavë. Çdo qytetar mund të vijë, parkon makinën dhe furnizohet për javën. Kurse, ata që kanë një restorant ose një biznes familjar, ka mundësinë t’i kryejë të dyja shërbimet, si shumicë, edhe pakicë”, sqaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se kjo është një zgjidhje për të gjithë luginën e Erzenit, duke filluar nga Krraba, Petrela, zona e Farkës dhe fshatrat përreth, me Ibën, Mulletin, Lundrën, duke vazhduar pastaj në drejtim të Baldushkut, Vaqarrit dhe Ndroqit.
Top Channel