Më datë 3 shtator do të nisë edicioni i ri i kampionatit të Kategorisë së Parë, ndërsa më 1 tetor edhe Kategoria e Dytë do të ngrejë siparin e sezonit të ri.
Në edicionin e ri të kampionatit të Kategorisë së Parë, pjesëmarrëse do të jenë 14 skuadra që do të përballen midis tyre në dy faza, me sistem vajtje-ardhje.
Kategoria e parë do të zgjasë 26 javë dhe pas përfundimit tё dy fazave, skuadrat e renditura në vendin e parё dhe te dytë do të ngjiten automatikisht nё Abissnet Superiore, ndërkohë që prej sezonit 2023/2024 Kategoria e Parë do të ketë 12 skuadra.
Ndërsa, sipas skemës së realizuar edhe përgjatë edicionit 2021/2022, ekipet e renditura në vendin e tretё, katërt, pestë dhe gjashtë do të luajnë ndeshje play-off për të përcaktuar skuadrën qё do tё zhvillojё ndeshje me vendin e tetë të “Abissnet Superiore”.
Sipas skemës, skuadra e renditur në vendin e tretë do të përballet me ekipin e renditur në vendin e gjashtë në klasifikimin përfundimtar, ndërsa skuadra e renditur në vendin e katërt do të luajë ndaj ekipit të renditur në vendin e pestë.
Gjithashtu, në këtë edicion të ri futbollistik në Kategorinë e Parë, pas përfundimit të dy fazave skuadrat e renditura në vendin e 11,12, 13 dhe tё 14 do të zbresin në Kategorinë e Dytë.
Ndërsa, skuadrat e renditura në vendin e 9 dhe 10 do të luajnë ndeshje finale play-out me skuadrat fituese të play-off të Kategorisë së Dytё Grupi A & B, ku vendi i 9 i Kategorisë së Parë do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me ekipin fitues të play-off të Grupit “A” të Kategorisë së Dytë në një fushë asnjanëse, ndërsa skuadra e renditur në vendin e 10-të do të luajë ndeshje play-off me një takim me skuadrën fituese të play-off të Grupit B të Kategorisë së Dytë.
Nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë do të ngjiten automatikisht fituesit e grupeve A dhe B. Skuadrat e renditura nga vendi i dytë në vendin e pestë në secilin grup do të luajnë ndeshje play-off për të përcaktuar skuadrën që do të ndeshet me vendin e 9-të dhe të 10-të të Kategorisë së Parë, ku skuadra e vendit të dytë do të luajë me ekipin e renditur në vendin e pestë, ndërsa skuadra e renditur në vendin e tretë në klasifikim do të përballet me ekipin e renditur në vendin e katërt.
Vlen të theksohet se Kategoria e Dytë, ashtu sikurse edhe edicionin e kaluar do të jetë e organizuar në dy grupe, A dhe B, ku do të zhvillohen dy faza të plota me sistemin vajtje-ardhje.
Sa i takon kampionatit “Abissnet Superiore”, skema do të jetë e njëjtë me atë të sezonit të kaluar dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim.
Top Channel