Monza ka zyrtarizuar afrimin e Stefano Sensit nga Interi, ndërkohë që dyshja Silvio Berlusconi- Adriano Galliani ëndërrojnë dy goditje të mëdha.
Mesfushori i ardhur nga nënkampionët e Italisë, është përforcimi i katërt për klubin që do të luajë për herë të parë në histori në Serie A, pas mbrojtësve Ranocchia e Carboni, dhe portierit Cragno.
26-vjeçari ka zbarkuar te Monza në huazim të pastër nga klubi nga Milano. Ndërkohë, Galliani po punon për të rikthyer Mauro Icardin në Serie A. “Nuk është e pamundur… ”, deklaroi drejtuesi i famshëm në lidhje me mundësinë e kalimit të ish-kapitenit të Interit tek ekipi i Monzas.
Corriere della Sera raporton se Galliani ka nisur bisedimet me Luis Campos, drejtorin sportiv të kampionëve të Francës. Italiani po tenton ta marrë në huazim sulmuesin argjentinas. Icardi përfiton rreth 10 milionë euro në sezon, problem që Galliani ka menduar ta zgjidhë duke paguar gjysmën e pagës Monza dhe gjysmën tjetër PSG.
77-vjeçari po tenton të bindë edhe Wanda Nara-n për t’u rikthyer në Itali, gruan dhe agjenten e Icardit, me të cilën ka një raport shumë të mirë. “Do të ishte një mundësi e shkëlqyer të kishim Icardin te Monza dhe a mund ta imagjinoni se çfarë historie do të ishte nëse ai do shënonte kundër Interit? Kam besim te Galliani”, deklaroi Berlusconi.
Ideja tjetër e çmendur quhet Paulo Dybala, i cili nuk po arrin akord me asnjë klub pas largimit nga Juventusi si lojtar i lirë. Galliani ka kontaktuar Jorge Antun, agjentin e fantazistit argjentinas, për t’i shprehur interesimin dhe dëshirën e madhe për ta sjellë te Monza. Bisedimet vazhdojnë, tifozët ëndërrojnë…
Top Channel