Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi të shtunën se propozimi i modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e mbyll çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat, sipas tij pranohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.
“Bullgaria mund të mbajë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, por kjo nuk do të jetë e pranueshme për BE-në në kuadër të negociatave. Propagandistët thonë se kjo është një qorrsokak, ne do të bullgarizohemi, por ne jemi këtu për të çmontuar narrativë të tillë ”, ka deklaruar Osmani duke sqaruar propozimin francez për të cilin në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen konsultimet me të gjithë faktorët në vend.
Osmani ka thënë se propozimi mund të kaloj vetëm me vendim të qeverisë pa pasur nevojë për votim nga Parlamenti, siç kishte deklaruar më parë kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Për kreun e diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, “dallimi më i madh” ndërmjet propozimit të ri dhe atij të vjetër francez është se “gjuha maqedonase mbetet e mbrojtur në BE dhe propozimet e deritanishme si “gjuha e Maqedonisë së Veriut”, “gjuha sipas Kushtetutës” dhe fusnota me një yll se “gjuha maqedonase për Bullgarinë është e papranueshme, janë refuzuar”.
Ai tha se maqedonishtja njihet nga BE-ja dhe me procesin e anëtarësimit, do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Bullgaria në vazhdimësi ka insistuar se gjuha maqedonase është një dialekt i gjuhës bullgare, sikur edhe identiteti i saj, që sipas Sofjes ka “rrënjë bullgare”.
Kjo ka bërë që Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 të përdorte veton për bllokimin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.
Bullgaria me propozimin e parë të Francës ka insistuar edhe në përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut para se të nisin bisedimet e anëtarësimit, por me modifikimin e propozimit, sipas Ministrit Osmani, kjo do të ndodhë para hapjes së kapitullit të parë të bisedimeve.
“Propozimi që ishte më herët parashikonte që fillimisht të miratohen ndryshime kushtetuese, pastaj të fillonin negociatat. Tani ka fillim të negociatave, konferencë të parë ndërqeveritare, hapja e negociatave, procesi i plotë i skriningut dhe para hapjes së kapitullit të parë, duhet ne të bëjmë ndryshime kushtetuese”, ka theksuar Osmani.
Drejtuesit e institucioneve ka thënë se propozimi i ri nuk përfshin çështjet historike që janë gjithashtu një kontest i hapur mes Shkupit dhe Sofjes.
Opozita maqedonase propozimin e ka vlerësuar “të dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase.
Sipas VMRO DPMNE-së, propozimi i ri nuk dallon nga propozimi i parë, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike.
Kjo parti konsideron se ndryshimet janë “kozmetike” apo se ka “ndryshim të terminologjisë që nuk i ndryshon kuptimin propozimit të parë”.
Gjuha maqedonase dhe identiteti jonë nuk njihen nga pala bullgare. Ato kanë prejardhje bullgare. Për të gjitha personalitetet historike do të themi se janë bullgarë”, ka thënë VMRO DPMN-ja.
Opozita për të shtunën në mbrëmje ka paralajmëruar një protestë para qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Top Channel