Bashkimi Europian, 1 miliard euro ndihmë urgjente për Ukrainën! SHBA nis armë të reja

02/07/2022 13:08

Bashkimi Evropian propozoi 1 miliard euro si ndihmë urgjente për Ukrainën për të mbështetur nevojat me para të vendit të  shkatërruar nga lufta.

Burime që janë në dijeni të çështjes, thotë Bloomberg, pohojnë se Gjermania është shfaqur ngurruese lidhur me një paketë të bollshme financiare për Ukrainën. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, tha se pjesa e parë e një plani asistence do të jetë një “përgjigje e menjëhershme ndaj nevojave më shtrënguese të momentit”.

“Kjo pjesë e parë e paketës i referohet nevojave më urgjente, BE-ja do të vazhdojë të ofrojë lehtësim për Ukrainën, dhe në terma afatgjatë do të mbështesë rindërtimin e saj si një vend demokratik dhe i begatë”.

Zyrtarët e BE-së e përgatitën opsionin rezervë të 1 miliard euro pasi komisioni dështoi të sigurojë bekimin e Berlinit për një paketë që parashikonte 8.8 miliardë euro kredi. Përveç shqetësimeve për strukturën e financimit, Gjermania po kërkon grante dhe jo kredi, thanë burimet. Pentagoni njoftoi sakaq se do të dërgojë në Ukrainë armë dhe municione shtesë, në vlerë prej 820 milionë dollarësh.

Paketa e katërmbëdhjetë e armatimeve për forcat ukrainase përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë municione për lëshuesit e raketave precize “Himars”, të cilat SHBA-ja filloi t’i dërgonte në qershor, rreth 150,000 fishekë municione artilerie të kalibrit 155 mm, si dhe katër radarë shtesë kundër sulmeve të artilerisë. Në këtë mënyrë, vlera e totalit të alokimeve për Ukrainën nga SHBA-ja ka arritur në 6.9 miliardë dollarë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

 

Top Channel