Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka njoftuar se është zgjedhur deputet i Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve që u përsëritën të enjten në fshatin Tërnovc.

Kamberi e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook, ndonëse konfirmim nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë nuk ka.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë mbajtur qysh më 3 prill, por rezultatet nuk janë certifikuar ende.

Kjo, për arsye të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc, si pasojë e disa parregullsive.

Votimet e së enjtes kanë qenë përpjekja e pestë.

Votat e Tërnovcit kanë qenë përcaktuese për përfaqësimin e pakicës shqiptare – me një deputet – në Kuvendin e Serbisë.

Në zgjedhjet e 3 prillit, shqiptarët e Luginës kanë garuar me dy lista – “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.

Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Serbi, në qershor të vitit 2020, partitë shqiptare kanë qenë në një koalicion dhe kanë fituar tri mandate parlamentare. Kamberi ka qenë edhe në dy mandate të tjera deputet në Kuvendin e Serbisë.

Kryetari i Grupit Parlamentae të Partisë Socialiste Taulant Balla ka uruar Shaip Kamberin  për fitoren e mandatit të deputetit në Parlamentin e Serbisë.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla ka shprehur mirënjohjen ndaj votuesve që treguan një mobilizim të lartë atdhetar,  duke e votuar përfaqësuesin e tyre legjitim.

Postimi i plotë i Taulant Ballës: Urime Shaip Kamberi për këtë fitore të luftuar shumë të mandatit të deputetit në Parlamentin e Serbisë, falë një votimi bindës në Tërnoc. Shumë mirënjohje votuesve posaçërisht treguan një mobilizim të lartë atdhetar duke e votuar përfaqësuesin e tyre legjitim.

Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë 🇦🇱 dua ta garantoj Shaip Kamberi dhe përmes tij shqiptarët e Luginës për bashkëpunimin dhe vëmendjen tonë të veçantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA