Gazetari qëllohet për vdekje në Meksikë, i 12-ti që vritet atje nga fillimi i vitit (fotot)

01/07/2022 17:04
Policia ne zonen ku u vra Antonio de la Cruz ne Ciudad Victoria

Sulmet ndaj shtypit janë shtuar me 85% në tre vitet e fundit në Meksikës që prej ardhjes në pushtet të presidentit Andrés Manuel López Obrador me premtime për “luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar”.

Një tjetër gazetar është qëlluar dje për vdekje në Meksikë duke e çuar numrin e punonjësve të vrarë të shtypit në 12 këtë vit, në një prej vendeve më të rrezikshme në botë për punonjësit e medias.

Antonio de la Cruz, 47 vjeç, u qëllua për vdekje teksa dilte nga shtëpia me bijën e tij 23-vjeçe, e cila u plagos në sulm, njoftonin prokurorët e shtetit.

De la Cruz, gazetar i të përditshmes Expreso prej tre dekadash, u vra pranë hyrjes së shtëpisë në qytetin Ciudad Victoria, në shtetin Tamaulipas pranë kufirit me SHBA.

Expreso mbulon të gjitha lajmet e qytetit duke përfshirë dhe çështjet e sigurisë.

De la Cruz raportonte për çështje rurale e sociale siç janë mungesat e furnizimit me ujë.

Ai mbulonte gjithashtu partinë politike Movimiento Ciudadano dhe deputetin e saj të zonës Gustavo Cárdenas Gutiérrez, i cili dënoi aktin.

De la Cruz ishte “i ndërgjegjëshëm për realitetin në Tamaulipas, dhe i guximshëm”, tha Miguel Domínguez, drejtor i gazetës.

“Ai nuk na kishte shprehur më parë shqetësime sigurie,” shtoi Domínguez.

Expreso ka qenë dhe më parë objekt sulmesh. Në vitin 2012 para ndërtesës së gazetës, shpërtheu një makinë bombë, ndërsa në 2018, një enë frigoriferike me një kokë njeriu brenda u la në ambjentet e saj.

Shtatë gazetarë janë vrarë në Meksikë në vitin 2021, në krahasim me 12 deri tani këtë vit.

FOTO GALERI
1/2
Sulmet ndaj shtypit janë shtuar me 85% në tre vitet e fundit në Meksikës që prej ardhjes në pushtet të presidentit Andrés Manuel López Obrador

Top Channel