Çekia “kthen pllakën”, presidenca e BE: Në fokus, negociatat me Shqipërinë dhe Kosova!

01/07/2022 14:06

Procesi i zgjerimit nuk konsiderohej përparësi e presidencës së saj të BE-së, por duket se Çekia që e mori sot kryesimin e radhës së Këshillit të bllokut, duket i ka rishikuar prioritetet e saj.

Diplomatët në Bruksel konfirmojnë se ajo do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje gjatë këtyre 6 muajve një varg çështjesh që patën vëmendjen e presidencës franceze e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji. Por nuk do të lërë mënjanë as Ballkanin Perëndimor.

Duket se agresioni rus në Ukrainë i ka dhënë tjetër peshë zgjerimit të Bashkimi Europian, e kjo vlen edhe për raportet e tij me vendet e rajonit. Sipas burimeve në fjalë,  Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor – të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin në mënyrë simbolike negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës – pra, në muajin e parë të kryesimit çek.

Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, duket është e gatshme që këtë vendim ta kalojë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave. Zakonisht, shtetet që marrin kryesimin e BE-së i përgatisin prioritetet e tyre disa vite më herët, por ndryshimet e rrethanave bëjnë që edhe prioritetet të ndryshojnë.

Top Channel