Barcelona njoftoi pak orë më parë marrëveshjen me “Sixth Street” për shitjen e 10% të të drejtave televizive, nga e cila do të arkëtojë një fitim total kapital prej 267 milionë eurosh për këtë sezon.
Një shumë e tillë e lejon klubin që të fillojë të lëvizë konkretisht në merkato.
Firma e parë pritet me Franck Kessie, pasi lojtari dhe klubi katalan njoftuan arritjen e marrëveshjes, ndërsa tani pritet vetëm firma e mesfushorit që u shpall kampion Italie me Milanin.
Formalitet pritet të jetë edhe firma me mbrojtësin Andreas Christensen, i cili mbylli kontratën me Chelsea-n. Të dy lojtarët vijnë me parametra zero.
Për të kaluar më pas te emrat që janë ende në kontratë me klubet e tyre.
“Blaugranat” duan të nënshkruajnë edhe me dy lojtarë të tjerë nga Chelsea, Azpilicueta dhe Marcos Alonso, secili vlen 13 milionë euro dhe londinezët nuk pranojnë asnjë cent më pak.
Tjetër dëshirë për mbrojtjen është Koulibaly, për të cilin Napoli kërkon më shumë se 35 milionë euro. Gjithashtu në këtë operacion, Barça gjen si kundërshtar Chelsea-n që po e kërkon me ngulm senegalezin.
Katalanasit ëndërrojnë edhe për brazilianin Raphinha, por lojtari i Leeds jo vetëm që kushton shumë, 60 milionë paund, por për shërbimet e tij, Barcelona ka shumë konkurrencë.
Në fund, “fiksimi” i merkatos, Robert Lewandowski. Ndoshta një nga tratavitat më të vështira të spanjollëve në vitet e fundit, pasi Barça po has në rezistencën e vazhdueshme të Bayernit që po bëhet pengesë, pasi polaku ka shprehur prej kohësh dëshirën për t’u transferuar në “Camp Nou”. Duhet theksuar, bavarezët deri më tani kanë refuzuar tre oferta të ndryshme për sulmuesin, me gjermanët që nuk pranojnë më pak se 60 milionë euro.
Muaji korrik pritet të jetë intensiv, me Barcelonën që me një llogaritje të thjeshtë pretendon të shpenzojë rreth 200 milionë euro, për t’i dhënë Xavi-t emrat dhe lojtarët që do të ndryshonin totalisht “fytyrën” Barcelonës.
Top Channel