Ukraina ka shkëputur lidhjet diplomatike me Sirinë, pasi Damasku ka njohur pavarësinë e rajoneve lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur këtë vendim përmes një postimi në Telegram.

“Nuk do të ketë më marrëdhënie në mes të Ukrainës dhe Sirisë”, ka thënë Zelensky, duke thënë se presioni me sanksione kundër Sirisë, “do të jetë edhe më i madh”.

Donjecku dhe Luhansku – që njihen së bashku si Donbas – janë duke u përballur me luftime të ashpra, si pasojë e luftës që ka nisur Moska kundër Ukrainës, pak pasi ka njohur pavarësinë e këtyre dy rajoneve.

Disa pjesë të Luhanskut dhe Donjeckut, janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Moska, prej kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Leonid Pasechnik, lider i separatistëve në Luhansk, ka falënderuar Sirinë dhe presidentin sirian, Bashar al-Asad, për atë që e ka konsideruar “gjest politik të përgjegjshëm dhe të guximshëm” për njohje të Luhanskut si shtet sovran dhe të pavarur, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve TASS.

Siria, aleate e ngushtë e Rusisë, ka përfituar ndihmë ushtarake ruse në luftën e saj civile, është shteti i parë, pas Rusisë, që njeh pavarësinë e këtyre dy rajoneve separatiste.

Siria ka qenë edhe në të kaluarën në anën e Rusisë.

Më 2018, është pajtuar për të njohur Abhazinë dhe Osetinë, rajone të shkëputura gjeorgjiane, si shtete të pavarura.

Ky hap ka nxitur Gjeorgjinë që të shkëpusë marrëdhëniet me Sirinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA