Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kundërshtuar aktin normativ për kompensimin financiar të çmimeve për materialet e ndërtimit.
Ajo u shpreh se ky akt është peshqesh për oligarkët në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Deputetja theksoi se ka pothuajse 2.2 miliardë euro korrupsion në tetë vite të qeverisjes së PS-së.
Fjala e plotë e Tabakut në Kuvend:
U përpoqa me shumë interes të ndjek fjalët e kolegëve socialistë të cilët kishin një emërues të përbashkët “të na vij ne turp se po ndajnë 80 milionë euro për disa firma dhe kompani që kane marrë tendera dhe konçensione në mënyrë korruptive, me 99% të vlerës tek 10 klientë e preferuar të qeverisë… të ulni kokën me turp” ishin fjalia nga e para tek e fundit se nuk po votoni aktin korruptiv që ka sjell sot qeveria. Unë nuk e di se çfarë duhet të bëhet më shumë që qeveria të ulë kokën dhe të kërkojë ndjesë, që sa herë që vijnë këtu në Parlament, nuk miratojnë njëherë të vetme një akt që shkon në shërbim të qytetarëve.
Çfarë ndodh me aktin normativ për çmimet në ndërtim? Së pari njëherë, ky akt normativ nuk mund të quhet i tillë, sepse Kuvendi ka qenë i mbledhur dhe nuk ka asnjë arsye që Kuvendi që të mos veprojë, por në nxitim e sipër kanë bërë një akt ligjor të paligjshëm, të cilin duhet në fakt ta kalonin në procedurë normale, me një ligj normal dhe të gjithë këtu në Parlament të diskutonim efektet. Kanë bërë një akt që ka hyrë në fuqi, ndërkohë që kanë filluar t’i paguajnë këto kompani, t’i japin detyrimet këtyre kompanive.
Së dyti, ky akt sjell një amnisti indirekte të detyrimeve kontraktuale të firmave, të tenderave, të subjekteve përfitues të këtij akti. Vonesa në përfundimin e veprave publike në një proces tenderimi shoqërohet gjithmonë me penalitete dhe parashikohet në kontratën individuale të firmës.
Çfarë ndodh me këtë akt? Me këtë akt po amnistojnë të gjithë kompanitë të cilat kanë pasur vonesa në punime. Kush janë këto kompani? Unë kam disa këtu nga rindërtimi, të cilat kam dëshirë që t’i përmend dhe çfarë po bën qeveria. Për shembull, në Shijak duhet të ishin ndërtuar 21 pallate, janë ndërtuar vetëm 15.2% e vlerës. Nuk ka absolutisht asnjë lidhje me krizën. Si rezultat i paaftësisë, po i amniston këto, po i japin dhe 80 milionë euro këtyre kompanive që nuk kanë bërë punën. Ndërkohë që bizneset e vogla dhe çdo kompani tjetër mbyllet masivisht.
E njëjta gjë ka ndodhur në Vorë, 70 apartamente nga 405, 17.2% e punimeve. Po i japin 80 milionë euro, përsëri, po i amnistojnë se nuk kanë bërë punën, ndërkohë që sot qytetarët paguajnë çmimet e rritura, të kripura të gjithë produkteve që janë në treg dhe nuk kanë absolutisht asnjë kompensim nga qeveria.
Kam këtu raste pafund, të çdo kompanie të përfshirë në procesin e rindërtimit, që në fakt janë vetëm 10 të preferuarit e qeverisë, që fillojnë dhe përfundojnë me Safet Gjicin, që do të marrin 80 milionshin e qeverisë, ndërkohë që kaq e gjithë baskë, është e gjithë paketa që ka ardhur në ndihmë të ekonomisë dhe kush ka nevojë ta dëgjojë, kjo paketë ka përfunduar efektet e saj. Pra, nuk është më në fuqi.
Nga ana tjetër, e tha dhe pak kolegu Sula, këto kompani, përveç faktit që janë dhënë me 99% të vlerës pjesa më e madhe e tenderave, të gjitha kompanitë kanë lidhje në një mënyrë ose në një tjetër, me qeverinë.
2 muaj më parë, kur asnjë media në fakt nuk fliste, unë kam denoncuar tenderin e rrugës Karrdhiq-Delvinë, kam denoncuar këtu tendera pa fund; pse u hap Miloti pak ditë më parë; pse ka pasur shtesa kontratash tek rruga e Arbërit, që nisi me 100 milionë euro por po përfundon me 500 milionë euro.
Janë të gjitha rasti abuzimesh, por abuzimi më i madh është për kompanitë të cilët kanë pronar të tyre persona në kërkim. Persona të akuzuar, të hetuar por edhe te gjykuar për trafik ndërkombëtar droge dhe e dini çfarë bën kjo qeveri? 18,6 milionë euro janë dhënë nga paratë e rindërtimit për kompani, për persona të cilët janë nën hetim nga prokuroria. Dhe çfarë bën qeveria? Me këtë akt normativ kujdeset që t’i sigurojë fitime. Kujdeset që atyre mos t’i mungojë të ardhurat, kujdeset që çmimet e rritura t’ia kompensojë.
Ndërkohë që kur ne i thoshim qeverisë që po rriten çmimet, ka vështirësi në treg, qeveria e mohonte. Sot doli ministrja, tha “po, është e vërtetë, janë rritur çmimet që në shtator”. çfarë lufte kishte në shtator? çfarë efektesh kishte në shtator? Përveç paaftësisë së qeverisë, për të krijuar një model ekonomik, i cili bazohet në dinamikën e brendshme, një model ekonomik i cili nxit prodhimin, që nxit fermerin, që mbështet fermerin dhe që vendos buxhetin në shërbim të grupeve në nevojë. Por jo, përsëri vijmë në Parlament dhe miratojmë një akt normativ, i cili është në përsëri në shërbim të oligarkëve, sigurisht, atyre që mbështesin qeverinë.
Pak ditë mëparë, bashkë me zonjën Felaj, që ka marrë këtu të drejtën të hëqi fjalën dhe t’i japi fjalën kujtdo në këtë seancë, diskutuam rreth një sondazhi për korrupsionin. Ishte këmbanë alarmi! Korrupsioni në 5 vitet e kaluara është përkeqësuar, perspektiva për 5 vitet e ardhshme është jashtëzakonisht e keqe, por ajo çfarë është më e rëndësishme, ishte që korrupsioni, sot bizneset, oligarkët, paguajnë qeverinë për të kaluar ligje këtu në Parlament. Kjo është kapja e shtetit, kapja e shtetit në nivelin më të larta, kur Parlamenti, që duhet t’i vijë turp, të uli kokën këtu, na kujton ne turpin pse i japin 80 milionë euro kompanive që i kanë dhënë vetë tendera dhe koncensione. Kjo është kapja e shtetit, ky është korrupsioni në nivelin më të lartë. Kjo është mënyra sesi sot, nga korrupsioni i banaqeve ka kaluar në korrupsionin politik, ku kompani të caktuara kërkojë këtu mbështetje dhe sjellin këtu rritje buxheti për to, ndërkohë që ky nder, ky favor, kjo mëshirë nuk i jepet as grupeve në nevojë, as pensionistëve, as familjeve të varfra dhe nuk i jepet as askujt nga ata qytetarë që sot janë duke përjetuar rritjen e çmimeve, që është dy shifrore.
INSTAT-i thotë që ka shkuar pothuajse 6.2, ka të dhëna që ka shkuar 6.7 rritja e çmimeve të ushqimeve. Në fakt rritja është dy shifrore. Në familjet e varfra ka shkuar deri në 30% ndikimi i rritjes së çmimeve, sepse për ato që kuptojnë dhe dyshoj që kuptojnë shumë, rritja e çmimeve tek personat me të ardhura më të ulta, sigurisht që ndihet më shumë se tek ato me të ardhura më të larta.
Qeveria vetë e pranon që deri në 30% maksimumi thotë, do t’i kompensojmë. çfarë do të thotë kjo? Që do të thotë që niveli i rritjes së çmimeve ka shkuar deri në nivelin 30%. Sepse pse duhej që patjetër t’i kompensonte nga 5 deri në 30%, në qoftë se çmimet nuk do të ishin rritur 5 deri në 30%? Formalizon me pak fjalë, këtë rritje çmimesh që ka ndodhur sot në treg dhe vijnë këtu na flasin për ndërtime rrugësh? Asnjë kilometër të ndërtuar, përveç atyre që janë dhënë me koncension.
Vijnë këtu na flasin për sugjerimet e FMN-së, por çfarë ka thënë FMN-ja? Që të mos miratoni amnistinë fiskale, sepse amnistia fiskale, njësoj si ky akt që po kaloni këtu, është korruptiv, sepse prishin barazinë në treg, siç e prish ky akt barazinë në treg. Sot ajo që po ndodh me bizneset e ndershme që paguajnë taksa, ndërkohë që duan të legalizojnë paratë e korrupsionit të 8 viteve të kaluara, është jashtëzakonisht shqetësuese. Dhe duhej të ishte shqetësuese dhe për qeverinë.
Por çfarë bëjnë? Nxjerrin për diskutim amnistinë fiskale e cila, në parim, në vetvete, amniston këdo që ka gënjyer ligjin, këdo që ka shkelur ligjin dhe e bën 0 vlerën e këtij Parlamenti, vlerën e kartonave që ngrenë socialistët sa herë që miratojnë një akt dhe e bën 0 këdo që ka qenë i ndershëm përpara ligjit dhe ka paguar taksa këto 8-9 vitet e fundit edhe të rritura.
Me amnistinë fiskale që sjell qeveria, në fakt bën dy gjëra. Së pari, amniston gjithë evazorët, duke përfshirë dhe kompaninë e inceneratorëve. Por nga ana tjetër, i jep krahë që në të ardhmen të vazhdojnë që ta gënjejnë shtetin. Se sa më shumë ta gënjesh shtetin, aq më mirë bëhet, sepse do të kesh në të ardhmen amnisti tjetër fiskale.Se sa më i këq të sillesh, sa më shumë tendera të marrësh, sa më shumë ta shkelësh ligjin, aq më shumë do të të favorizojë qeveria. Ndërsa kushdo që paguan ndershmërisht taksat, kushdo që ul kokën e nuk ngre zërin edhe për taksat e rritura, ato do të penalizohen, i drejti! Gjithmonë Parlamenti do të votojë më të fortin, do të mbështesë më të fortin, oligarkun, atë që merr tenderin, atë që shkel ligjin. Sepse ky është parimi i Ramës, ky është parimi i kësaj qeverie.
Unë besoj që sot ne bëjmë një akt qytetarë nëse votojmë kundër këtij akti normativ, i cili nuk kishte përse të cilësohej normativ fare, nuk kishte pse të vinte në Parlament fare. Sot ne i bëjmë një nder qytetarëve shqiptarë që i heqim 80 milionsh euro vjedhje shtesë për kompanitë e preferuara të qeverisë. Ky është nderi që duhet t’i bëjë çdo deputet Parlamentit, votuesve të tij! Ky është nderi që duhet t’i bëj buxhetit të shtetit.
Pothuajse 2.2 miliardë euro korrupsion në 8 vite, nuk mund të mbyllim sytë dhe të vazhdojmë të lejojmë që kjo të ndodh. Nuk mund të bëhemi pjesë dhe të justifikoni vjedhjen dhe korrupsionin! Nuk mund të ulni kokën dhe t’ju detyrojnë të votoni sa herë që kanë nevojë për ju!
Top Channel