Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal në ngarkim të gjyqtares Etleda Çiftja, pas përfundimit të hetimeve.
Etleda Çiftja, akuzohe “Falsifikim dokumentesh“ dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Sipas SPAK, nga hetimet është provuar se Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie pranë ish Banka Emporiki – Shqipëri sh.a.
Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar, pasi kjo kontratë nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë.
Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë.
Top Channel