Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani është shprehur se nuk pret asgjë nga protesta e thirrur nga Sali Berisha më 7 korrik, pasi sipas tij është e gjitha politike dhe jo në interes të shqiptarëve.
I ftuar ditën e sotme në “Top Talk”, ai tha se kryeministri Edi Rama dhe Sali Berisha janë njësoj në sjelljen e tyre dhe ndër këto vite kanë ndërruar vetëm vendet. Ai shtoi se nëse Berisha do donte realisht një betejë me Ramën do sihte shumë e lehtë për të, por sipas tij nuk është ky qëllimi. Shabani tha se ata betejën e kanë vetëm për pushtet, por për shqiptarët ata janë bashkë.
“Këta kanë ndryshuar vendet. Ne jemi po aty, në bulevard duke protestuar kundër tyre. Unë i shoh njësoj, kanë të njëjtën arsye pse e duan pushtetin dhe të njëjtën sjellje. Nuk besoj se nëse do heqim Ramën do sjellim Berishën, gjerat do bëhen më mirë. Këta janë një brez. Një pjesë e tyre kanë qenë dhe shok klase, sillen njësoj, jetojnë në një lagje. Praktikisht janë më të ngjashëm me njeri tjetrin sesa mua. Kjo është arsyeja pse 7 korriku nuk më thotë asgjë, por unë jam përditë në protestë. Berisha është deputet, ka një grup në parlament. do ishte menaxhuar më mirë nëse do e kishte seriozisht betejën me Ramën. Ne nga jashtë jemi përpjekur të protestojmë, kemi kërkuar transparencën e Bordit të Transparencës, javës që vjen përfundon afati dhe nuk kemi marrë fare përgjigje dhe ende. Ky bord nuk ka fare transparencë, më kemi çuar çështjeje në SPAK dhe gjykatë. Ne duam t’i zgjidhim realisht, Berisha, Basha, dhe Rama kur ishte në opozitë nuk duan t’i zgjidhin këto probleme. Këta e kanë lojë politike e pazare. Si ka mundësi që Rama që e ka armik të madh Berishën nuk i hetoka dot pasurinë apo e kundërta. Këta janë në luftë me njëri-tjetrin për pushtetin, por përballë nesh këta janë bashkë”, tha Shabani.
Top Channel