Drejtori i Koha Jonë, Nikoll Lesi, në një intervistë për emisionin “Top Talk”, bën një analizë të situatës aktuale në Partinë Demokratike.

Ndonëse Gjykata e Apelit nuk e ka dhënë fjalën e fundit,  Sali Berisha ka marrë sërish drejtimin e partisë. Por, sipas Lesit, ish-kryeministri nuk do t’ia dalë të rrëzojë kryeministrin Edi Rama dhe të sjellë Partinë Demokratike në pushtet.

“Nuk vjen kjo opozitë në pushtet në këtë mënyrë. Po nuk bindi pjesën gri, pjesën e rinisë… por Berisha nuk e bind dot”.

Zgjidhja, sipas Lesit, që pas zgjedhjeve të 25 prillit distancua nga angazhimi në PD, do të ishte te një kryetar i ri, që ka mbështetjen e të gjitha palëve.

“Pasi e mori PD-në, Saliu duhet të kishte një zgjidhje. Në mënyrë kategorike nuk duhet të ishte vetë, por të zgjidhej një figurë përbashkuese, edhe për pjesën që nuk është as me Bashën, as me Berishën, edhe LSI-në, edhe elektoratin gri, që të krijonte një front të madh e të besueshëm kundër Edi Ramës. Ndryshe nuk e merr dot.

Berisha, pasi hoqi Bashën dhe grupin e Bashës, duhet të hapte një garë, të zgjaste kohën e konkurrimit për kryetar partie dhe mund të kishte figura të ndryshme. Mund të ishte Jorida Tabaku, Belind Këlliçi e shumë të tjerë, por jo Saliu”.

Duke u ndalur te protesta që Sali Berisha ka thirrur në 7 korrik, drejtori i “Koha Jonë”, shprehet se nëse do të mblidhen mbi 30 mijë qytetarë, Berisha do të vërtetojë lidershipin e tij, në të kundërt do të jetë dështimi i tij i radhës.

“Mitingu i 7 korrikut do të jetë një miting që ka dy pjesë. Nëse do të ketë mbi 30-50 mijë vetë, kjo është protestë serioze që do të thotë se qeveria duhet të mendohet seriozisht sepse ka një opozitë solide dhe të fortë. Nëse është 10-15 mijë, këta janë militantë të përhershëm të doktorit dhe të PD-së.

Nëse protesta funksionon, Berisha i thotë grupit tjetër dhe të gjithë deputetëve se është lidershipi real. Kjo është një lëvizje me dy qëllime: i bën presion qeverisë dhe e dyta, bashkon PD-në dhe i vë pas vetes. Nëse arrin të marrë deputetët pas vetes, tregon që është lidershipi”.

Top Channel