Liderët e NATO-s do të mblidhen të martën në Madrid, në atë që konsiderohet të jetë një prej samiteve më të rëndësishme të aleancës perëndimore në vitet e fundit, pas sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më 27 qershor se në samitin treditor, do të arrihet pajtueshmëri për një paketë të re të ndihmës për Ukrainën në fushën e komunikimeve, sistemeve anti-dronë dhe naftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të flasë para liderëve të NATO-s dhe aleatëve të saj, përmes video-linkut.
Edhe bllokada e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në këtë aleancë, është pikë e nxehtë diskutimi.
Stoltenberg pritet të takojë liderët e tri shteteve para nisjes së samitit.
Uniteti i proklamuar i NATO-s është duke u testuar, pasi Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, pas Shteteve të Bashkuara, është duke kërkuar garanci nga Finlanda dhe Suedia, sa u përket grupeve kurde që Ankaraja i konsideron terroriste.
Në samit pritet të ndryshojnë edhe qëndrimet zyrtare për Rusinë, pasi prej vitit 2020, aleanca e sheh Moskën si partnere strategjike.
“Kjo gjë nuk do jetë kështu në konceptin strategjik për të cilin do të pajtohemi në Madrid”, ka thënë Stoltenberg.
“Pres që aleatët ta shohin qartë që Rusia përbën kërcënim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë, vlerat tona dhe rregullin ndërkombëtar të bazuar në ligj”.
Në këtë samit, i cili hapet me një darkë pune më 28 qershor, do të marrin pjesë edhe liderë të shteteve që nuk janë pjesë e NATO-s, përfshirë liderët e Koresë Jugore dhe Japonisë, në cilësinë e vëzhguesve.
Top Channel